Skema e re e pranimit në universitete

Ndryshon skema e pranimeve në universitete. Maturantët që fitojnë të drejtën e studimit në një degë dhe më vonë rezultojnë fitues në një program studimi që e preferojnë më shumë, do të kenë të drejtë të çregjistrohen.

Kjo është një ndër risitë që parashikon udhëzimi për procedurat e aplikimit dhe pranimit në institucionet e arsimit të lartë. Burime të sigurta pranë MAS-it bëjnë me dije se, ashtu si vjet, do të jenë dy raunde pranimi të mirëfillta, por më të strukturuara.

Tashmë është gati udhëzimi, i cili këtë vit do të publikohet përpara afatit të përcaktuar, që në muajin maj. Pranimet në vitin e kaluar, i pari sipas ligjit të ri të arsimit të lartë, u shoqëruan me shumë polemika, kundërshti e protesta nga maturantë të mirë që mbetën jashtë dyerve të fakulteteve. Sakaq, të dhënat përfundimtare treguan se nga 27.600 maturantë që aplikuan, thuajse 23 mijë prej tyre siguruan një vend në universitet. shkruan infoelbasani.

PROCEDURA

Asnjë maturant fitues nuk do të mbetet peng i zgjedhjes së parë, vetëm nga frika se mund të mbetet pa fakultet. Në fund të procesi, skema e re e pranimeve do t’i japë atij një ditë kohë në dispozicion të mendohet dhe të mund të kthejë mbrapsht veprimin e tij, në rast se e gjykon të arsyeshme.

“Është hartuar udhëzimi i pranimeve në të cilin parashikohet mundësia që një kandidat, në rast se regjistrohet në një raund dhe pendohet, i vihet një ditë në dispozicion për t’u çregjistruar”, sqarojnë burimet e Ministrisë.

Gjithashtu, mësohet se do të jenë dy raunde pranimi, por jo me nënfaza të pafundme, deri në plotësimin e kuotave të secilit program studimi, siç ndodhi një vit më parë. Parashikohet shmangia e një dukurie të tillë për shkak të ndryshimit të bërë që në krye të herës, kritereve të pranimit.

“Situata këtë vit është shumë më mirë se sa vjet, për arsye se universitetet nxorën mësime duke ndryshuar kriteret e pranimeve. Ato janë konsultuar paraprakisht me ne, me qëllim që të mos ketë shumë gafa të tipit: zerim i pikëve për lëndë të njëjta, por me emra të ndryshëm. Këto janë kapërcyer”.

E gjithë procedura e aplikimit dhe regjistrimit të kandidatëve fitues do të realizohet me ndihmën e dy portaleve: atë të maturantit dhe ai qeveritar, ualbania. Të dhënat e maturantëve do të administrohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, e cila nuk është gjë tjetër veçse ishAKP.

Kjo e fundit mbledh aplikimet për çdo maturant e bashkë me të dhënat e tij për të gjitha vitet e shkollimit, ia nis universiteteve. Në bazë të skemës së përllogaritjes së pikëve, rankohen aplikantët nga ai që ka më shumë pikë deri tek ai me më pak. Një vijë e kuqe do të ndajë fituesit nga humbësit.

syri

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne