Evis Sala propozon bashkë-financim 30% nga pacientët për medikamentet jetike, ndërsa fondet publike dhe tenderët zhduken
Vazhdojnë vendimet tronditëse të Ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, në lidhje me nevojat jetike dhe vështirësitë financiare të pacientëve që trajtohen në Spitalin Onkologjik të Tiranës. Sipas informacionit të siguruar nga “Pamfleti”, nga burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë, ministrja Evis Sala dhe Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Arti Papajani, kanë shkuar deri aty sa të miratojnë një skemë ku pacientët me kancer duhet të paguajnë vetë një pjesë të ilaçeve.
“Solidaritet financiar”, sipas ministres
Ministrja Evis Sala e ka quajtur këtë vendim “nismë për solidaritet financiar me spitalin”, duke propozuar që pacientët e Onkologjikut të paguajnë 30% të vlerës së medikamenteve që mungojnë në farmacinë spitalore. Në praktikë, kjo do të thotë se shteti, i cili ka detyrim ligjor të ofrojë trajtim dhe ilaçe falas për sëmundjet onkologjike, po ua kalon barrën financiare pacientëve dhe familjeve të tyre.
Kjo skemë propozohet në të njëjtën kohë kur ministrja ka deklaruar publikisht se janë shtuar 2 miliardë lekë për furnizimin me ilaçe në Spitalin Onkologjik. Megjithatë, ilaçet vazhdojnë të mungojnë, ndërsa pacientët detyrohen t’i blejnë në farmacitë private pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”.
Lista e medikamenteve që pacientët duhet t’i paguajnë
Sipas dokumenteve dhe informacionit të siguruar, skema e bashkë-financimit 30% përfshin një sërë medikamentesh jetike për trajtimin e kancerit, mes tyre:
Cetuximab, Irinotekani, Irino, Carboplatine, Herceptin, Goserelin, TDM1, Brakiterapia, Phesgo 1200/600, Phesgo 600/600, Axitinib, Imunoterapi, Actinomycin-D, si dhe medikamente të tjera të specializuara.
Këto barna rezultojnë të jenë të prokuruara nga ministria përmes tenderëve, por mungojnë në farmacinë e spitalit dhe gjenden vetëm në tregun privat, ku çmimet janë të papërballueshme për shumicën e pacientëve.
Mungesë shtretërish dhe pajisjesh, pagesë mbi pagesë
Sipas situatës aktuale, për rreth 70 pacientë që trajtohen çdo ditë në Onkologjik, ka vetëm 17 shtretër funksionalë. Pjesa tjetër e pacientëve detyrohen të presin, të blejnë vetë shërbime, apo edhe të paguajnë për pajisje mjekësore, riparime dhe materiale bazë që duhet t’i sigurojë shteti.
Në vend që të zgjidhë krizën e menaxhimit, ministrja ka zgjedhur rrugën më të lehtë: transferimin e kostos te pacientët më të pambrojtur në vend.
Kush e ka miratuar këtë skemë?
Skema është miratuar nga Këshilli Administrativ, i përbërë nga drejtues të lartë të qeverisë dhe institucioneve shëndetësore:

– Evis Sala, kryetare, ministre e Shëndetësisë
– Fatos Shkurti, nënkryetar, përfaqësues i sindikatave të shëndetësisë
– Arti Papajani, anëtar, Drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
– Xhoana Agolli, anëtare, Drejtore e Menaxhimit të Buxhetit dhe Borxhit Publik, Ministria e Financave
– Astrit Hado, anëtar, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore
– Fatmir Brahimaj, anëtar, President i Urdhërit të Mjekëve
– Alqi Kushi, anëtar, Drejtor i Përgjithshëm i Ekonomisë dhe Shërbimeve Mbështetëse, Ministria e Shëndetësisë
Ky vendim shënon një precedent të rrezikshëm: shteti tërhiqet nga detyrimi kushtetues për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve, ndërsa pacientët me kancer trajtohen si bashkë-financues të dështimeve qeveritare.
Në vend të luftës kundër korrupsionit, tenderëve fiktivë dhe zhdukjes së fondeve, qeveria ka zgjedhur të faturëzojë të sëmurët./Pamfleti/


















