Skënderbeu i mbuluar? Ai është veli që po na fsheh realitetin

Nga Arjan Çuri

Këtë javë u bë shumë zhurmë në të gjitha llojet e mediave, nga personale tek ato kombëtare, për mundësinë e mbulimit të statujës së Skënderbeut nga besimtarët myslimanë, që u falën me rastin e Kurban Bajramit, në qendër të kryeqytetit. Sigurisht, që pikëpamjet e ndryshme të atyre që u përfshinë në këtë debat, janë të pranuara, në botën e lirë që jetojmë, përsa ato nuk fyejnë dhe kërcënojnë askënd. Gjithashtu u pa që të njëjtin realitet, të paraqitur në foto dhe video, njerëz të ndryshëm, në bazë të predispozicionit të tyre, disa e panë të mbuluar me perde të zeza (!) Skënderbeun, disa të tjerë e panë, thjesht të fshehur, nëse ndodheshe në kënde të ndryshme të sheshit. Kështu, që këtë debat, përveçse iu dha një amplifikim i ekzagjeruar, për arsye mediatike, personalisht e konsideroj si të padobishëm dhe pa asnjë bazë reale. Shumica folën të nxituar dhe pa u njohur me situatën faktike. Statuja e Skënderbeut, as u prek prej ndonjë pëlhure, as iu afrua njeri ta dëmtonte, dhe as nuk e përmendi njeri si element të tepërt, që duhej hequr sot apo në të ardhmen, në ambientin lutës të besimtarëve.

Ekranet e pranishme, nëse ishin vendosur në mënyrë të atillë, që në kënde të caktuara, sytë e besimtarëve, të mos kishin pamjen e asnjë statuje përpara, për shkak se rregullat e tyre fetare, i pengojnë që objekte të çdo natyre, t’u tërheqin vëmendjen, nuk përbëjnë asnjë shkak për sulme fyese dhe përçarëse. Ndodh që në biseda me miqtë e mi myslimanë, që rastis që të jenë nga ata më të mirët dhe besnikët, të dëgjoj që kur luten në ambiente jashtë xhamive, pasi myslimanët mund të luten kudo, të kujdesen që përpara tyre të mos kenë asnjë simbol të objekteve frymore, pasi kjo do të konsiderohej sikur u faleshin gjallesave që personifikon simboli, dhe kjo do të konsiderohej paganizëm. Kështu që për të qenë të sigurt, në ambientet ku ata ndodhen, vendosen pas ndonjë muri, apo shtylle, apo guri, që të ndajnë, ambientin e tyre falës, nga realiteti i jashtëm, qoftë edhe nga portreti i prindërve të tyre në shtëpi. Kjo, në asnjë rast, nuk do të thotë, që ata fshehin, mbulojnë apo urrejnë botën që i rrethon, apo nuk i duan prindërit që i lindën. Thjesht në lutjet e tyre, ata duan të shkëputen prej botës simbolike, dhe kjo është në të gjithë të drejtën e tyre të Zotit që ta bëjnë. Dhe askush prej nesh, nuk ka të drejtën që t’i mësojë se si ta ushtrojnë besimin e vetë.

Mirë do të ishte gjithmonë, që për të gjykuar një realitet, të njohim njëherë nga brenda, arsyet se pse njerëzit bëjnë veprimet që bëjnë. Sepse në të kundërt do të arrinim në përfundime qesharake, të tipit, priftërinjtë veshin veladon të zinj, sepse urrejnë ngjyrat e tjera, ose ata mbajnë mjekra, sepse u ndalohet të përdorin briskun. Nga këto nonsense, kemi dëgjuar plot deri tani. Njerëzit akoma mendojnë për shembull, të bombarduar edhe nga propaganda, që në kishat ortodokse meshohet greqisht, apo të gjithë katolikët janë shtetas të Vatikanit. Prandaj, për gjëra të fesë, përpara se të merrnim çdo qëndrim të papjekur, mirë do të ishte që të pyesnim personat kompetentë, teologët pra, që nuk kanë asnjë problem dhe as ndonjë frikë, që t’i shpjegojnë gjithkujt dhe në çdo kohë, pse nëpër faltoret përkatëse, bëhen veprime të caktuara, në gjuhë të caktuara, apo në kohë të caktuara.

Nga ky debat, nga ana tjetër, mora një ngacmim për të parë se si i njëjti simbol, i figurës së Skënderbeut, përdoret në realitete të ndryshme, për të dhënë kuptime të ndryshme. Kështu, qeveria e re, e dalë pas zgjedhjeve të fundit, shpalli, në një nga mbledhjet e saj informale, se ky vit, do të jetë viti i Skënderbeut, pasi përkon me 550 -vjetorin e vdekjes së tij. Dhe ky sigurisht do të jetë edhe vendimi i parë zyrtar që do të marrë qeveria, në mbledhjen e saj të parë zyrtare, pas mandatimit në Parlament. Personalisht, nuk e kuptoj pse duhet të jetë vendimi i parë dhe i paralajmëruar me kaq bujë, përveçse për arsye të përforcimit të simbolit të Skënderbeut, që për mendimin tim, po përdoret si një vel, apo si një perde, për të entuziazmuar shqiptarët, të cilët sensin e patriotizmit e kanë të fortë. Sigurisht, me këtë nuk dua të them, që jam kundër këtij vendimi, i cili mund të merrej edhe më vonë, pasi ka kohë deri në 17 janar të 2018, por që ky vendim, të shpallej para se të marrësh mandatin, dhe pastaj ta shpallësh vitin jubilar, që në mbledhjen e parë të qeverisë, do të thotë, se nga ekspertët e komunikimit që këshillojnë Kryeministrin, kjo të jetë menduar si një gjetje e mirë për të gëzuar qytetarët dhe për t’u hequr atyre, qoftë edhe për pak kohë, vëmendjen nga pritshmëritë reale që ka një popull prej qeverisë së vetë, që e meriton, në çdo rast, pasi e ka votuar.

Kujtoj këtu se qeveria Rama 1, kishte marrë që në mbledhjen e parë të saj, një vendim, ku ndryshonte protokollin zyrtar, që është i sanksionuar me ligj, (dhe këtu nuk dua të diskutoj a e kishte apo jo autoritetin të ndryshonte ligjin me një VKM) dhe detyronte që portreti i Presidentit të zëvendësohej me atë të Ismail Qemalit, si themeluesi i shtetit modern shqiptar. Në të njëjtën mënyrë ekzaktësisht, qeveria Rama 2 e nis mandatin e saj me një vendim, me një karakter të fortë patriotik, si për të falënderuar shqiptarët, që votuan kuqezi, përtej të majtës dhe të djathtës, dhe sigurisht në emër edhe të Skënderbeut, që u përdor si simbol patriotizmi, nga të dyja anët e politikës, gati-gati, sikur të ishte anëtar partie, dhe jo figurë e lartë e përfaqësimit kombëtar. Këto lëvizje të forta populiste, që njihen në karakterin komunikativ dhe qeverisës të Kryeministrit, sigurisht që nuk bëhen pa arsye, por do të donim të dinim më shumë, se cilat do të jenë vendimet e para të qeverisë, për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për rritjen ekonomike, pensionet, shëndetësinë, arsimin, energjinë, sigurinë dhe antidrogën, politikën e jashtme etj. Deri tani, dimë se një vit, nga katër që pasojnë, dhe që Kryeministri Rama parapëlqen t’i numërojë me muaj, pra 12 nga 48 muaj, do t’i përkasin Skënderbeut.

Prandaj, jam i mendimit, se Skënderbeu, po përdoret me shumë mjeshtëri si një perde, apo si një vel i hollë dhe elegant patriotik, për të arritur që të fshehë nga sytë e qytetarëve, qoftë edhe përkohësisht, një qasje më të mirë ndaj realitetit që na rrethon, që nuk është se është edhe aq kuqezi, por ka brenda të gjitha ngjyrat, madje dhe nuancat e çdo ngjyre. Vetë simboli, nga logjicienët e çdo epoke, nga Aristoteli e deri te Wittgenstein-i, është konsideruar si një rrezik apo pengesë për të arritur te realiteti, nëse përdoret pa kujdes, prandaj ata donin të shpëtonin prej tyre, duke e pastruar gjuhën drejt një formalizimi të kulluar të saj, për të arritur te gjuha natyrore, si forma e saj më e lartë. Kështu, simbolet, janë perde që na pengojnë ta shohim qartësisht botën që na rrethon. Përveçse të na shqetësojë mbulimi i tyre, ne duhet të jemi vigjilentë, se si në shumë raste, vetë simbolet përdoren si mbulesa evazive të zhvendosjes së vëmendjes.

Në këtë mënyrë, në vend që të vazhdojmë të merremi me mbulimin e Skënderbeut, pasi është sqaruar në mënyrë shteruese si problem, le të shohim, rrezikun e përdorimit të simbolit të tij, dhe të çdo simboli tjetër, si një vel mbulues për atë që një qeveri ka për detyrë të bëjë, pasi këto katër vjet, nuk do të qeverisemi prej simboleve tona kombëtare, që janë të shenjta dhe bashkuese, por prej qeverisë Rama 2, që mori votëbesimin absolut prej elektoratit, që krahas ndjenjave të kulluara patriotike, ka edhe nevoja bazike dhe reale në jetën e përditshme./ mapo

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne