Skeni parë gjë akoma! Pritet sërish rritja e çmimit të ujit në Tiranë

Kreu i Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani, deklaroi dje se ende ka hapësirë për rritje të tarifave të ujit nisur nga përballueshmëria e nivelit aktual.

Kreu i ERRU, Ndriçim Shani

Kreu i Entit Rregullator të ujit në prezantimin e raportit vjetor për 2017-ën në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese tha se Tiranës i nevojitet një rritje tjetër e tarifave të ujit pas 2 vjetësh. Opozita kundërshtoi metodologjinë që përdoret për caktimin e tarifave të ujit, bazuar në të ardhurat mesatare 70 mijë lekë/muaj që llogarit INSTAT.

RRITJA E DYTË NË TIRANË

Kryetari i Entit Rregullator tha se rritja e tarifës së ujit për herë të dytë në kryeqytet do të bënte të mundur realizimin e planbiznesit për investime në 5 vjet me kosto 170 milionë euro.

“Objektivi që në Tiranë të këtë furnizim me ujë 24 orë, është shumë ambicioz dhe ne do ta monitorojmë. Nga ana tjetër, në ofertën e Tiranës është parashikuar edhe një fond për masterplanin. Të gjitha investimet janë subjekt i saktësimit se si duhet të zbatohen dhe ku duhet të zbatohen, e cila është garanci. Përveç kësaj, duke parë planin e biznesit 5-vjeçar, të cilat duhet ta sjellin të gjithë shoqëritë kur aplikojnë për rritje tarifash dhe aty kemi parë që pas dy vjetësh, Tirana kërkon një tjetër rritje tarife për të arritur planin e investimeve prej 170 milionë eurosh”, u shpreh Shani.

Kreu i ERRU-së tha se rritja e tarifës së ujit në korrik do të mundësojë realizimin e 30 për qind të investimeve të parashikuara. “Rritja e tarifave ka konsistuar në mbulimin e 30 për qind të investimeve nga Shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve dhe 70 për qind e këtyre nevojave do të jepen nga donatorët. Kjo ndërmarrje ka përllogaritur si nevojë imediate për t’u arritur ky objektiv në 5 vitet në vazhdim 170 milionë euro investime”, tha Shani.

METODOLOGJIA E TARIFAVE

Kreu i Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani, tha se ERRU ka si referencë përballueshmërie të pagesës së faturës së ujit vlerën prej 5% të të ardhurave mesatare të një familjeje në Shqipëri, që llogaritet rreth 70,000 lekë në muaj e llogaritur nga INSTAT.

“Ne gjatë punës sonë marrim si kriter bazë 5 për qind të shpenzimeve për familje, këto janë të ardhurat e mundshme që marrim nga INSTAT. Në fakt, kur flasim për shpenzime mesatare lihet mënjanë pjesa e popullsisë me të ardhura minimale. Jemi duke analizuar me kujdes në bashkëpunim me shoqatën europiane rregullatore si një problem madhor jo vetëm për ne, por edhe për Ballkanin që duhet të studiohet me kujdes mënyra e vlerësimit dhe konceptimit sesi duhet të realizohet kjo përballueshmëri, jo vetëm për shtresat në nevojë që domosdoshmërish duhen subvencionuar, por edhe për të ardhurat në limite minimale”, tha Shani.

Deputeti i opozitës, Endri Hasa, hodhi dyshime mbi vërtetësinë e të ardhurave për familje që nxjerr INSTAT. “Ju na sillni një të dhënë në raport se të ardhurat mujore mesatare të përgjithshme sipas INSTAT janë 70 mijë lekë në muaj për familje dhe në bazë të kësaj ju bazoni politikën rregullatore. Unë do të doja të dija një referencë më të qartë për këtë të dhënë të INSTAT-it, sepse më duket një shifër e lartë për të ardhurat ekonomike në vend. Shpresoj që të mos jetë përdorur këtu tarifa e matur nga INSTAT-i si buxhet që i duhet një familjeje për të jetuar në një qytet të caktuar të Shqipërisë”, tha Hasa.

Kreu i ERRU-së, tha se nuk është kompetencë e institucionit kontrolli i besueshmërisë. “Ai është institucioni që i jep këto shifra dhe ne atij i referohemi, por besueshmëria nuk është kompetencë e jona. Të dhënat e INSTAT-it janë referenca e vetme që kemi, por tarifat e aplikuara janë të përballueshme”, u shpreh Shani.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne