Opinion Shqiperia

Soft Power i Teheranit në Tiranë dhe bllofi i kryeministrit shqiptar

Nga Gjergj Thanasi.

 

Thirrjeve thuajse histerike të fytyrave publike të Muxhahedinëve të MEK për dëbimin e diplomatëve iranianë nga Tirana, Teherani zyrtar, me sa shihet, po u përgjigjet me një “Charm Ofensive” (ofensivë ndjellëse) duke investuar në Tiranë soft poëer-in tipik iranian. Nuk kemi më të bëjmë me thjesht ato aktivitetet rutinë si pjesëmarrje të shqiptarëve në konkurse recitimi të verseteve kuranike në Iran, apo pak bursa studimi për të rinjtë shqiptarë në shkollat iraniane (me fonde iraniane).

Në këtë kontekst nga Janari 2018 e në vazhdim jemi dëshmitarë të një aktiviteti kulturor në Iran për nder të poetit tonë kombëtar Naim Frashëri me pjesëmarrës nga Shqipëira në nivele të larta si fjala vjen të ish presidentit Mejdani, zv/kryetares së Akademisë së Shkencave, profesorëve të universiteteve shqiptare, studiuesve të shquar të historisë dhe arkivistikës etj.

Më pas kemi pjesëmarrjen e 2 gazetarëve veteranë të televizionit shtetëror iranian në kremtimin e Sulltan Novruzit në Tiranë. Pjesëmarrje kjo, që u shndërrua në skandal për shkak të ndërhyrjes aprofesionale të antiterrorit shqiptar, duke i akuzuar gazetarët si terroristë, që do bënin akt terrori kundra Baba Mondid, ndonëse ata ishin në Shqipëri me ftesën personale me shkrim po të Baba Mondit (SIC!) Këtë të mërkurë në Tiranë ishte prezent një delegacion i zgjeruar i ICCIMA (Dhoma e Tregëtisë, Industrisë, Minierave dhe Bujqësisë e Iranit).

Propozimet iraniane për mikpritësit shqiptarë

Shefi i ICCIMA-s, publikisht në prani të homologes shqiptare Mucostepa ripërsëriti ofertat dhe kërkesat iraniane të 9 viteve më parë duke shtuar edhe zhvillime të reja. Njëlloj si në kohën e ambasadorit Whithers (kabllograme t e famshme –wikileaks) iranianët kërkuan zhvillimin e tregëtisë, shkëmbimeve kulturore e të turzimit ndërmjet dy vendeve. U rikërkua vendosja e një linje të drejtpërdrejtë ajrore Teheran-Tiranë, kërkesë kjo e kundërshtuar me forcë nga Sekretarja e Shtetit Klinton në vitin 2009 si edhe nga ambasadori Whithers dhe DCM Debora Xhons (Deborah Jones). E reja, që ofroi z. Shafei,  ishte kërkesa për hapjen e ambasadës shqiptare në Teheran në reciprocitet me ambasadën iraniane, e cila e ka selinë në Tiranë, që në vitin 1994. Z. Shafei po ashtu bëri sugjerime praktike për rritjen e fluksit të turistëve myslymanë në Shqipëri duke përdorur ekspertizën e të vetmit institut shkencor në botën islame, i cili bën certifikimin e ushqimeve të karakterizuara si “Hallall”. AI informoi mediat se dy qeveritë po kryejnë bisedime për të nënshkruar marrëveshje për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe për mbrojtjen e investimeve .

Misioni i z.Shafei në Tiranë (e më pas në Shkup) është i një rëndësie të vecantë, edhe për shkak të historisë personale të tij si hero, që në adoleshencë në kuadrin e milicisë Basij, apo lidhjeve të forta personale të tija me VIP-at e Gardës Revolucionare të Iranit. Premtimet dhe kërkesat e bëra nga një përfaqësues iranian i kalibrit të z. Shafei (të përsëritura dhe përforcuara edhe në fjalën e mbajtur nga Sh.T. ambasadori iranian Mohammadnia Gholamhosein) janë mëse serioze. Pikërisht se janë kaq serioze zv/ministri Etjen Xhafaj pa mbaruar mirë takimi zyrtar ngutazi informoi në mënyrë të detajuar “qiraxhinjtë” në “Rilindja Ridge”! Z. Xhafaj njëlloj si zj. Harxhi 9 vite më parë, që informonte DCM Deborah Jones-in se ministri i jashtëm i atëhershëm Ilir Meta, ndonëse i surprizuar nga kërkesat iraniane, ishte dakordësuar me këto kërkesa, informonte diplomatët e ish Rrugës “Labinoti”, për konsideratat positive të z. Bushati për propozimet iraniane.

Gazetarja dhe menaxherja veterane e mediave Anila Basha me nuhatje profesionale mbështetur në lajmin e dhënën nga e përditshmja iraniane “Teheran Times” (linku: http://www.tehrantimes.com/news/422995/Albania-keen-on-boosting-economic-ties-with-Iran  ) ngrinte jo pabaza versionin e përdorjes së kartës iraniane nga kryeministri Rama për të shantazhuar Europën dhe disi më pak SHBA-në. Kryeministri shqiptar po përdor një sërë “gogolësh” në pamundësi për të kryer detyrat e shtëpisë vecanërisht për të luftuar krimin e organizuar me metastaza deri te dera e shtëpisë në Surrel, me trafikim qindra tonelatash kanabisi, disa tonelata kokainë nga Amerika Latine dhe heroinë nga Turqia, me shndërrimin në furnizues armësh, municionesh e lëndësh plasëse për bandat kriminale, por edhe operativëve të terrorit në disa vende të NATO-s. Me “ariun” rus, me “gogolin” e ekstremizmit sunit, që po iku Rama nga pushteti do bëjë namin, me “lugatin” iranian, që po s’iu dha Ramës hapja e negociatave nga Brukseli, do ngrerë në brigjet e Adriatikut një avanpost të ngjashëm me ato të ngritura në Tartous të Sirisë dhe në Tarabullus të Libanit, kryeministri Rama po shantazhon Brukselin për të hapur negociatat dhe për të siguruar një “Carta Bianca” për sundimin e Shqipërisë nga “Rilindja” e sotme alla Xhorxh & Aleks Sorros. Mbetet për t’u parë sa do e hanë sapunin për djathë eurokratët e Brukselit. Në kohën, kur në Shtëpinë e Bardhë ishte i biri i Husejnit amerikanët reaguan ashpërsisht kundra kartës iraniane në Tiranë, po sot, që shef i Lu-së pasardhësit të Whithers-it është Mike Pompeo dhe këshilltar në Shtëpinë e Bardhë është z. Bolton, një antiranian Par Excellence si do reagojë vallë ambasada amerikane, ndaj përdorimit ramist të “lugatit” iranian për të shantazhuar Brukselin dhe Uashingtonin?! ?!?!?!?!?!?!

Attendere e sperare, këshillonte lexuesit e vet Aleksandër Dumasi te Konti i tij i Montekristos! Me siguri shqiptarët tash e mbrapa do të jetojnë në kohëra interesante sic uron plot cinizëm edhe një proverb kinez!

GJERGJ THANASI