Vizita e Gideon Saarit në Somaliland përfaqëson “ndërhyrje të papranueshme” në punët e brendshme të një anëtari sovran të OKB-së, thotë Ministria e Jashtme somaleze.
Somalia dënoi “inkursionin e paautorizuar” të ministrit të Jashtëm Izraelit, Gideon Saar, në Somaliland, duke i bërë thirrje Tel Avivit t’i “ndërpresë menjëherë” të gjitha veprimet që e dëmtojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë.
Vizita e Saarit përfaqëson një “ndërhyrje të papranueshme” në punët e brendshme të një anëtari sovran të OKB-së, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.
Somalia tha se veprime të tilla shkelin Kartën e OKB-së, Aktin Kushtetues të Bashkimit Afrikan dhe normat e vendosura të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke përfshirë barazinë sovrane, integritetin territorial dhe mosndërhyrjen.
Po ashtu, thuhet se Somalilandi është “pjesë integrale dhe e pandashme” e Somalisë.
Mogadishu tha se çdo prani, kontakt ose angazhim zyrtar në territorin e saj pa pëlqimin e qartë të qeverisë federale është i paligjshëm, i pavlefshëm dhe nuk ka efekt ligjor.
Ministria i kërkoi OKB-së, Bashkimit Afrikan, Lidhjes së Shteteve Arabe, Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë ta riafirmojnë mbështetjen e tyre për sovranitetin e Somalisë dhe kufijtë e njohur ndërkombëtarisht “në terma të qartë dhe pa ekuivoke”.
“Somalia rezervon të drejtën për t’i ndërmarrë të gjitha masat e duhura diplomatike dhe ligjore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për ta mbrojtur sovranitetin, unitetin kombëtar dhe integritetin territorial të saj”, tha ajo.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, mbërriti në rajonin e shkëputur të Somalisë, Somaliland, të martën, pothuajse dy javë pasi Tel Avivi e njohu rajonin.
Më 26 dhjetor, Izraeli njoftoi njohjen zyrtare të Somalilandit si një shtet të pavarur dhe sovran, duke e bërë Tel Avivin të vetmin vend në botë që njeh rajonin e shkëputur./trtbalkan


















