Sondazhi i ri vlerëson opinionin publik mbi planet e Evropës për taksën digjitale ndaj gjigandëve amerikanë të teknologjisë

Gjigantët dixhitalë amerikanë si Facebook, Google dhe Amazon që kanë ndërtuar një prani të frikshme në treg, po përballen aktualisht me një taksë të ashtuquajtur taksë dixhitale nga disa qeveri evropiane, të cilën Uashingtoni e ka quajtur “diskriminuese”.

Sputnik u interesua për të mësuar rreth opinionit publik në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara mbi taksat e propozuara për gjigandët e Silicon Valley.

Si pjesë e një sondazhi të kryer për Sputnik nga IFop – agjencia më e vjetër e sondazheve e Francës – një numër i përgjithshëm prej 4,000 vetash u anketuan në Francë, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA midis 9 dhe 15 prillit 2019. Të gjithë ishin mbi 18 vjeç.

Sondazhi zbuloi se shumica e britanikëve, gjermanëve dhe francezëve, si dhe pak më shumë se gjysma e amerikanëve, e konsiderojnë të domosdoshme që ndaj kompanive si Facebook, Google dhe Amazon të ketë taksa shtesë.

Në Francë, ku një taksë për Big Tech (kompanitë e mëdha teknologjike) është quajtur tashmë GAFA, 79 për qind e të anketuarve mbështetën taksat e aplikuara, ndërsa vetëm 13 për qind i kundërshtuan ato.

Mbështetësit e taksave përbënin 72 për qind në Gjermani dhe 71 për qind në Britani të Madhe. Opinionet u dukën më të ndara në SHBA, ku 53 për qind ishin në favor të taksave ndaj gjigantëve të teknologjisë dhe 33 për qind u shprehën kundër tyre.

Në tre vendet evropiane u zbulua se propozimi për të goditur me taksa shtesë Facebook, Google dhe Amazon ishte më popullor mes meshkujve sesa femrave. Personat mbi 35 vjeç gjithashtu kishin më shumë gjasa të mbështesnin taksat sesa të anketuarit më të rinj.

Në Shtetet e Bashkuara, personat nën 35 vjeç u dukën më mbështetës të propozimit sesa pjesëmarrësit më të vjetër.

Demokratët u gjetën gjithashtu të jenë më të interesuar në rregullimin e taksave sesa republikanët. Dallimet u vunë re gjithashtu përgjatë vijave fetare, me më shumë katolikë që miratuan taksën sesa protestantët.

Taksë dixhitale

Pas disa muajsh negociatash, Bashkimi Europian në mars braktisi planet për një taksë dixhitale ndaj korporatave të mëdha të SHBA-së pas kundërshtimeve nga disa vende, duke përfshirë Irlandën, Maltën dhe tre shtetet baltike, të cilat ofrojnë regjime tërheqëse të taksave të ulëta për bizneset e teknologjisë.

Pavarësisht nga dështimi i planeve për të ndërmjetësuar në një marrëveshje të gjerë në BE, Franca vazhdoi me taksën e saj prej 3 përqind në prill. Taksa e re e quajtur “GAFA” që shenjestron Google, Apple, Facebook dhe Amazon, prek kompanitë e teknologjisë me të ardhura më shumë se 750 milionë euro në të gjithë botën dhe me të paktën 25 milionë euro në Francë. Qeveria franceze beson se mund të sjellë më shumë se 500 milionë euro në vit. Spanja, Italia dhe Britania e Madhe pritet të ndjekin shembullin në një të ardhme të afërt.

Shtetet e Bashkuara i kishin quajtur më parë taksat e reja si “të konceptuara keq” dhe “diskriminuese” dhe ka kërcënuar se do të luftoje për ato në Organizatën Botërore të Tregtisë. Uashingtoni tani mbështet përpjekjet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për të arritur konsensus mbi një marrëveshje ndërkombëtare, e cila duhet të vendosë normat minimale të taksave korporative në botë deri në fund të vitit 2020.

Parisi tha se ishte gati për të zëvendësuar taksën e saj kombëtare me një zgjidhje të ndërmjetësuar nga OECD, nëse kjo do vlente për bizneset digjitale. “Ka një angazhim të qartë nga Franca që sapo të ketë një zgjidhje sipas OECD, ne do të heqim dorë nga zgjidhja kombëtare”, tha ministri i Ekonomisë i Francës Bruno Le Maire për Bloomberg në prill.

“Dua ta bëj të qartë se duhet të ketë taksime mbi aktivitetet dixhitale”, u citua të thoshte ai. “E kam fjalën për përfitimet e bëra në të dhënat. Pra, ka shumë opsione teknike, megjithatë Franca po mbron për zgjidhje shumë më të forta dhe më bindëse, për të cilat mund të themi mirë se ekziston taksimi i drejtë dhe efikas mbi fitimet e bëra në të dhënat.”/sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne