Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e “Open”, ka kritikuar rolin e Fondacionit Soros në Shqipëri, duke argumentuar se në vend që të forconte shoqërinë civile, ai u afrua me pushtetin dhe politikanët, veçanërisht me kryeministrin Edi Rama.
Sipas Lubonjës, fillimisht prania e Soros në Shqipëri u justifikua me promovimin e një shoqërie civile të pavarur, por në realitet, fondet që duhej të shkonin për forcimin e demokracisë u përdorën për të mbështetur një klasë politike të afërt me fondacionin.
“Këta në vend që të investonin te shoqëria civile, investuan te një klasë politike që ishte më pranë tyre dhe u lidhën me politikanë, me Edi Ramën dhe të tjerë. Të gjithë fondet që duhet të merrte shoqëria civile që të bëhej një kontrollues i demokracisë, këta i shkrinë me pushtetin dhe u bënë palë me të,” tha Lubonja.
Ai vijoi kritikat e tij duke theksuar se edhe në SHBA, organizatat e financuara nga Soros nuk janë të pavarura, por të lidhura politikisht me liberalët.