Sot inaugurohet aeroporti i ri gjigand i Stambollit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me pjesëmarrjen e mysafirëve nga katër anët e botës do të bëjë sot (16.00) hapjen e Aeroportit të Ri të Stambollit, i cili, pas përfundimit të plotë, do të jetë aeroporti më i madh në botë.

Hapja e fazës së parë të aeroportit bëhet më 29 tetor, që përkon me Ditën e Republikës në Turqi.

Ceremonia e hapjes së fazës së parë, gjatë së cilës do të shërbehen 90 milionë pasagjerë në vit, do të fillojë në orën 16:00 sipas kohës lokale, me një koncert të Orkestrës Simfonike të Presidencës së Turqisë.

Aeroporti është ndërtuar në një sipërfaqe prej 76.5 milionë metra katrorë, ndërsa për hapjen e fazës së parë janë investuar gjashtë miliardë euro.

Ndërkaq, faza e dytë pritet të përfundojë deri në vitin 2023.

Pas përfundimit të punëve, aeroporti do të përbëhet nga gjashtë pista të ndara me një kapacitet për 500 avionë, parking të hapur dhe të mbyllur me kapacitet 70 mijë automjete dhe në vit do t’u shërbejë rreth 200 milionë pasagjerëve.

Fluturimi i parë nga aeroporti që do të realizohet pas fjalimeve hapëse, do të jetë në drejtim të Ankarasë më 31 tetor, me avionin e tipit Boeing 777 të kompanisë turke Turkish Airlines.

Pas përfundimit të zhvendosjeve të duhura deri në fund të vitit, pritet që në aeroport në ditë të ulen dhe ngrihen 2.000 avionë, nga më shumë se 350 destinacione, ndërsa shërbimet e tyre do t’i ofrojnë 250 kompani ajrore.

Burimi: Trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne