Spitali i Shkodrës anulon operacionet deri më 6 janar, mungon stafi

Spitali i Shkodrës ka vendosur të anulojë ndërhyrjet kirurgjikale nga 30 dhjetori 2019 deri më 6 janar 2020, për shkak të mungesës së mjekëve dhe nevojës për menaxhuar më mirë emergjencat gjatë festave të fundvitit.

Televizioni RTV Ora ka bërë publik urdhërin e spitalit të Shkodrës ku shkruhet:

“Ju njoftojmë se për arsye të mirëmenaxhimit dhe mirëplanifikimit të mbulimit të shërbimit mjekësor të urgjencës për peridhën e festave të fund-vitit 2019 dhe fillim-vitit 2020 lind nevoja e anullimit të ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara për peridhën 30 dhjetor 2019 dhe deri në 06 janar 2020.

Ndërhyrjet kirurgjikale do të realizohen me një planifikim të dytë mbas datës 6 Janar 2020.”

Shkresa i drejtohet repartit të Kirurgjisë dhe Obstetrikë-Gjinekologjisë.

Menjëherë pas publikimit të lajmit, ish-deputeti demokrat Bardh Spahia akuzoi  Ministrinë e Shëndetësisë se ka urdhëruar ndërprerjen e operacioneve për shkak të tejkalimit të buxhetit të koncesionit të sterilizimit.

“Shëndeti me racion, si tollonat e kohës së diktaturës!” u shpreh Zoti Spahia.

Bashkia e Shkodrës është një ndër më të mëdhajat në Shqipëri dhe Spitali i Shkodrës i shërben rreth 200 mijë banorëve të 11 njësive të përfshira në këtë bashki./exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne