Spiunët e Sigurimit futen në Parlamentin e ri, pse dështoi verifikimi

Si e kanë kapur spiunët e Sigurimit politikën dhe Parlamentin Shqiptar, ligji për hapjen e dosjeve i mbron që të mos zbulohen   

Bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit do të jenë pjesë e parlamentit të ri, që prodhuan zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit, ashtu siç depërtuan në të gjitha parlamentet pas rënies së regjimit komunist. Miratimi i ligjit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, në vend që t’i ndalonte, e ka bërë më të lehtë dhe të sigurt depërtimin në Parlamentin e ri të spiunëve të Sigurimit të Shtetit, të cilët do të hartojnë dhe miratojnë ligje si përfaqësues të popullit shqiptar. Gjatë procesit të shqyrtimit dhe miratimit të ligjit, fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas në Parlament, deputetët aktualë ndërhynë dhe ndryshuan nene dhe pika të rëndësishme duke garantuar paprekshmërinë e spiunëve të Sigurimit të Shtetit në Parlament. Së pari, ligji për hapjen e dosjeve vështirëson verifikimin e kandidatëve për deputetë për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, duke e lënë verifikimin në dëshirën dhe vullnetin e vetë kandidatëve dhe jo të institucioneve. Neni 30 i ligjit, parashikon që autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale. Pra, kërkesa mund të bëhet vetëm nga kandidatët ose edhe nga partitë. Pra, është si të pyesësh një spiun të Sigurimit nëse ka dëshirë që të verifikohet dhe nëse po të bëjë vetë një kërkesë për t’u zbuluar. Nga ana tjetër, neni 29 i ligjit nr. 45/2015 për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, parashikon kategoritë e zyrtarëve, për të cilët mund të kërkohet informacion për lidhje me ish-Sigurimin. Lista nis më kandidatët për President të Republikës, ministrat, zëvendësministrat, funksionarë politikë, drejtorët në administratën publike, gjyqtarët dhe prokurorët, anëtarët e KLD, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, diplomatët, ushtarakët, punonjësit e shërbimeve informative, rektorët, dekanët etj. Çuditërisht në këtë listë nuk janë parashikuar deputetët dhe kandidatët për deputetë. Pra, neni 29 i ligjit nuk parashikon verifikimin e kandidatëve për deputetë me kërkesë të subjekteve të parashikuara në ligj. Ky skandal vijon të kalojë në heshtje, duke konfirmuar edhe një herë influencën dhe pushtetin e madh që kanë ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit në politikën shqiptare dhe sidomos në Kuvendin e Shqipërisë, institucionin më të rëndësishëm, nga i cili dalin të gjitha institucionet e tjera në Shqipëri.

Ligji për hapjen e dosjeve mbron edhe spiunët e zakonshëm, duke vështirësuar publikimin e dosjeve të tyre në media. Ligji parashikon që kur publikimi i të dhënave personale, të siguruara sipas këtij ligji, shoqërohet me deklarata të kundërta të personave të përmendur, këto deklarata u bashkëlidhen të dhënave personale dhe ruhen, vihen në dispozicion e lejohet të publikohen, në të ardhmen, vetëm së bashku me deklaratat kundërshtuese. Me anë të neneve 36 dhe 37 ligji e bën të pamundur zbulimin e spiunëve për publikun.

Nga ana tjetër, ligji i ri për hapjen e dosjeve u jep të drejtë bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit të shohin dosjet e tyre. Autoriteti u jep bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, informacion për dokumentet që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për ta, me kërkesë të tyre. Informacioni mund të përfshijë edhe një përshkrim të llojit dhe vëllimit të veprimtarisë, një përshkrim të rrethit të personave, mbi të cilët është raportuar, si dhe periodicitetin e raportimeve. Me kërkesë të tij, bashkëpunëtorit i garantohet e drejta e njohjes dhe shqyrtimit të dokumenteve të hartuara për të dhe i dorëzohen dublikata të tyre. Në dublikata duhet të bëhen të palexueshme informacionet personale për të prekurit apo palët e treta. Me kërkesë të tij, bashkëpunëtorit i jepet informacion mbi raportet e përpiluara prej tij dhe i garantohet shqyrtimi i këtyre raporteve, kur ai argumenton interesin e ligjshëm për njohjen me këto dokumente. Pavarësisht këtij parashikimi, interesi i të prekurve apo palëve të treta në ruajtjen e fshehtësisë së informacioneve, është më i lartë se interesi i bashkëpunëtorit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne