Sqaron Ministria e Jashtme e Rusisë: Çfarë është “Noviçok”? Cila është origjina e tij? Dhe kush është i aftë për ta prodhuar atë?

Bashkimi Sovjetik që në fillim ka qenë i angazhuar për hartimin e Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike (KNAK) dhe ka kërkuar vazhdimisht zbatimin e saj sa më të shpejtë.

Që para hartimit përfundimtar të KNAK-ut, u realizuan një sërë nismash për të rritur transparencën e programit kimiko-ushtarak të BRSS. Ndër to ishin nënshkrimi në shtator 1989 i Memorandumit të Mirëkuptimit BRSS-SHBA mbi eksperimentin dypalësh për kontrollin dhe shkëmbimin e të dhënave lidhur me ndalimin e armëve kimike (Memorandumi i Wyoming-ut). Me qëllim implementimin e këtij dokumenti palët shkëmbyen të dhënat mbi rezervat e tyre të armëve kimike dhe vendet e depozitimit, ndërsa në vitet 1990-1992 shkëmbyen edhe vizitat e ekspertëve në objektet përkatëse sovjetike/ruse dhe ato amerikane.

Duke qenë trashëgimtare juridike e Bashkimit Sovjetik, Federata Ruse ka kërkuar gjithmonë ndalimin e plotë të armëve kimike dhe e ka konfirmuar vijimësisht përkushtimin ndaj detyrimeve të saj në këtë fushë.

Më 13 janar 1993 Rusia ishte ndër vendet e para që e nënshkroi KNAK-un dhe filloi pa vonesë zbatimin e saj, pavarësisht nga vështirësitë objektive ekonomike dhe financiare në zhvillimin e shtetit gjatë periudhës postsovjetike. Të gjitha rezervat e armëve kimike, si edhe pikat e prodhimit të tyre, u bënë publike në përputhje të rreptë me Konventën. Asnjë lëndë tjetër helmuese, përveç atyre të bëra publike, nuk ishte prodhuar kurrë nga Rusia.

Asgjësimi i të gjitha rezervave të armëve kimike ruse u krye nën kontrollin tepër të rreptë ndërkombëtar. Ky proces i ndërlikuar ishte përfunduar më 27 shtator 2017. Më 11 tetor 2017 Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit Teknik të ONAK-ut vërtetoi asgjësimin përfundimtar të armëve kimike në Federatën Ruse.

Për sa i përket komponimit kimik, i cili në vendet perëndimore është quajtur si “Noviçok”, struktura dhe mass-spektri i tij u prezantuan për herë të parë në vitin 1998 në bazën e të dhënave spektrale të Institutit Amerikan të Standardeve (NIST 98). Ishte sqaruar se informacionet lidhur me këtë substancë kishin mbërritur në Qendrën kërkimore dhe zhvillimore të ushtrisë amerikane në Edgewood. Më vonë, në bazë të komponimit të lartpërmendur u krijua një klasë e tërë kimikatesh toksike, të cilat nuk janë pjesë e KNAK-ut.

Që nga mesi i viteve 1990 kërkime shkencore për lëndët fosfororganike të klasës “Noviçok”, duke përfshirë edhe mënyrat e sintetizimit të tyre dhe efektet e tyre shkatërruese, janë kryer në rreth 20 vende perëndimore. Në botime të huaja shkencore janë përshkruar strukturat e jo më pak se njëqind komponimeve, të cilat në një masë a një tjetër kanë lidhje me “Noviçok”-ët. Shumicës së këtyre kimikateve u janë vënë kode sipas klasifikimit American Society Chemical Abstract System, gjë që tregon se ato janë sintetizuar dhe regjistruar në bazën e të dhënave CAS (Chemical Abstract Service).

Vetëm në SHBA janë lëshuar mbi 140 patenta lidhur me përdorimin dhe me parandalimin e efektit të lëndëve helmuese luftarake të klasës “Noviçok”.

Ish-Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe Boris Johnson pohoi në një intervistë për Deutsche Welle më 20 mars 2018 se edhe në laboratorin “Porton Down” kishte një mostër të njërës prej lëndëve të tilla helmuese. Ishte pikërisht kjo mostër ajo që e mundësoi laboratorin “Porton Down” të kryente identifikimin e kimikatit toksik në ato prova që ishin marrë pas incidentit në Salisbury më 4 mars 2018.

Për shkak se metodat e sintetizimit të komponimeve të klasës “Noviçok” janë përhapur gjerësisht në vendet perëndimore që zotërojnë laboratore kimike të teknologjisë së fundit, përcaktimi i një vendi konkret, të cilit i përket ai lloj i substancës që është zbuluar në Salisbury, është mjaft i vështirë. Në raportin e Sekretariatit Teknik të ONAK-ut të hartuar pasi Britanisë së Madhe i ishte dhënë asistenca teknike lidhur me incidentin në Salisbury, prapë vendi i origjinës nuk përmendet.

Si një pjesëmarrëse përgjegjëse e KNAK-ut, me qëllim fuqizimin e Konventës, gjatë sesionit të 59-të të posaçëm të Këshillit Ekzekutiv të ONAK-ut (Hagë, më 18 prill 2018) Federata Ruse i sugjeroi Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit Teknik të ONAK-ut që të përgatitet dhe të paraqitet për shqyrtim në Këshill një projektvendim, i cili do të parashikonte nisjen e përpjekjeve praktike për amendimin e Aneksit mbi kimikatet, në përputhje nenit XV, pika 5, të KNAK-ut (dokumenti EC-M-59/NAT.4, datë 18 prill 2018).

Në maj 2018 Federata Ruse dërgoi në Sekretariatin Teknik të ONAK-ut propozimet e saj për të përfshirë në listat e kimikateve të kontrolluara rreth 1 mijë komponime të reja. Jemi të bindur se një hap i tillë do të ndihmonte në forcimin e mëtejshëm të regjimit të mospërhapjes dhe të eliminimit të armëve kimike.

Lista e literaturës së shfrytëzuar shkencore:

Balali-Mood M., Abdollahi M. (eds.). Basic and Clinical Toxicology of Organophosphorus Compounds. London, Springer-Verlag: 2014. ISBN 978-1-4471-5625-3.

Ellison, D. Hank. Handbook of Chemical and Biological Warfare Agents (2nd edition). Boca Raton, USA: CRC Press, 2008. ISBN 978-0-849-31434-6.

Halámek E., Kobliha Z. Potenciální Bojové Chemické Látky. // Chemicke Listy, 105 (5), Czech Republic, 2018. P. 323-324.

Hoenig, Steven L. Compendium of Chemical Warfare Agents, N.Y.: Springer Science+Business Media, 2007. ISBN 978-0-837-34626-7.

Patochka, Jiri. Novichok Agents – Mysterious Poisonous Substances from the Cold War Period. // Military Medical Science Letters (Voj. Zdrav. Listy, Czech Republic), 87, 1-3, 2018. ISSN 0372-7025.

Peplow, Mark. Nerve agent attack on spy used ‘Novichok’ poison. // C&N: Chemical & Engineering News (USA), Vol. 96, Issue 12, 2018.

U.S. Patent US 2016228416A1, USA.

U.S. Patent WO 2011/137317, USA.

U.S. Patent US 9,200,877B1, USA.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne