“Stambolli Sekret” në Bosnje

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Çështja më e rëndësishme që e shqetësonte botën gjatë Luftës së Ftohtë ka qenë mundësia e një lufte bërthamore midis superfuqive të kohës. Nuk ka dyshim se po të kishte ndodhur një luftë e tillë, pasojat e saj do të kishin qenë një fatkeqësi e madhe për njerëzimin. Strehimet e sigurta që liderët botërorë kishin ndërtuar fshehtas në atë kohë, dëshmojnë se sa seriozisht është marrë mundësia e kësaj lufte bërthamore. Një bunker të tillë antibërthamor lideri komunist i Jugosllavisë, Jozip Broz Tito e ndërtoi edhe për veten e tij. Vendstrehimi ndodhet pranë qytetit Konyiç të Bosnjës-Hercegovinës dhe sot dëshmon jo vetëm epokën e Luftës së Ftohtë, por shërben edhe si një galeri, ku ekspozohen veprat e artit bashkëkohor që lidhen me këtë temë.

Strehimi anti-bërthamor i ndërtuar në formën e një patkoi në shpatet e malit Zlatar në Konyiç të Bosnjës ka qenë një nga sekretet më të mëdha të Ushtrisë Jugosllave. Ndonëse është ndërtuar mes viteve 1953 dhe 1979, banorët e zonës nuk kanë pasur kurrë dijeni për bunkerin nëntokësor. Pretendohet se vetëm katër gjeneralë të Ushtrisë Jugosllave kanë qenë në dijeni për projektin e këtij strehimi. Punëtorëve që morën pjesë në ndërtim jo vetëm që nuk është treguar se çfarë do të ndërtohej, por ishin detyruar të firmosnin edhe një deklaratë me shkrim për ta mbajtur sekret këtë projekt.

Strehimi ka qenë ndërtuar me qëllim për të mbrojtur ish-liderin e Jugosllavisë, Tito dhe udhëheqësit e tij ushtarakë dhe politikë nga një sulm i mundshëm bërthamor. Ky është strehimi më i madh bërthamor i ndërtuar në ish-Jugosllavi dhe me kapacitet për ti rezistuar një shpërthimi atomik me madhësi 24 kiloton. 350 vetë mund të qëndronin brenda në strehim pa pasur nevojë të dalin në sipërfaqe për 6 muaj. Një vit pas përfundimit të ndërtimit të bunkerit Titoja vdiq dhe nuk dihet nëse arriti që ta shikojë apo jo gjendjen përfundimtare të këtij bunkeri gjigand, për të cilin kishte shpenzuar rreth 4,7 miliardë dollarë.

Në regjistrat zyrtarë bunkeri antibërthamor është i njohur me shkurtimin ARC, që do të thotë “Komanda Ushtarake Rezervë”. Ana interesante është se emri i koduar i bunkerit ka qenë “Stambolli”. Nga të dhënat ekzistuese, nuk është e qartë pse është zgjedhur një kod i tillë. Megjithatë, besohet se kodi “Stambolli” është vlerësuar si i përshtatshëm për shkak të nënshkrimit në Ankara më 28 shkurt 1953 i Paktit Ballkanik ndërmjet Turqisë, Greqisë dhe Jugosllavisë dhe për faktin që Jugosllavia në këtë periudhë kishte nisur afrimin me Turqinë.

Po të shikojmë veçoritë teknike, kuptohet që bunkeri zbret deri në thellësinë 300 metra nëntokë dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 6 mijë 854 metra katrorë. Ai është i pajisur me teknologjinë më moderne të kohës kur është ndërtuar. Në pjesën e jashtme të strehimit ka tre shtëpi të vogla. Ata që nuk kanë qenë në dijeni të çështjes, as në mendje nuk mund t’u shkonte që këto tre shtëpi të vogla fshihnin një strehim gjigant. Prapa këtyre shtëpive gjendej një vend i posaçëm për njësinë e vëzhgimit, vendi ku qëndronin truprojat e Titos dhe stafi i mbështetjes teknike. Në vazhdim të këtyre gjendet një derë hekuri me trashësi 1 metër, përmes të cilës kalohet në një tunel të gjatë që të çon në qendër të bunkerit. Vet bunkeri ka brenda një sistem kundër zjarrit, depot e ujit dhe karburantit, sistemin e ajrimit, spital, qendrën e shifrimit, njësi speciale komunikimi me linjë telefonike, dhoma gjumi, kuzhinë, dhoma konferencash dhe njësi të tjera. Uji i pijshëm është siguruar nga burimet brenda në mal.

Bunkeri me kodin “Stambolli”, vendndodhja e të cilit mbeti sekret deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë së Titos, në vitin 2011 nisi të presë vizitorët e parë. Deri më tani bunkerin e kanë vizituar me mijëra vetë. Vizitorët tregojnë një interes të madh ndaj personalitetit të Titos, por njëherësh ata bëjnë një udhëtim në të kaluarën, në periudhën e Luftës së Ftohtë. Krahas dhomave të fshehura dhe sendet që qëndrojnë si jashtë mode, vizitorët këtu i pret edhe një galeri artistike moderne, që është krijuar vitet e fundit. Vepra artistike të mbledhura nga të katër e botës dëshmojnë për kohën e Luftës së Ftohtë, kërcënimin e armëve bërthamore dhe Luftën e Bosnjës ndërmjet viteve 1992-1995./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne