Stoltenberg mbërriti për një vizitë dy ditore në Maqedoni

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg mbërriti sonte në aeroportin e Shkupit ku u prit nga ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska.

Sipas informacioneve nga kabineti i presidentit, në kuadër të vizitës dy ditore në Maqedoni, Stoltenberg do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov, ndërsa më pas edhe me kryetarin e parlamentit Talat Xhaferi.

Ndërsa shërbimi për shtyp i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë njoftoi se, Stoltenberg do të takohet me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, ministren e Mbrojtjes Shekerinska dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Takimi me kryeministrin Zaev është planifikuar të mbahet nesër në Klubin e Deputetëve, pas së cilës është caktuar një konferencë e përbashkët për media.

Nesër në axhendën e tij, përveç aktiviteteve dhe takimeve të tjera, Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg do të vizitojë edhe Stajkovcin, ku në vitin 2016 trupat dhe pajisjet e NATO-s u angazhuan për të ndihmuar në tejkalimin e pasojave të përmbytjes.

Stoltenberg gjithashtu do të vizitojë kazermën Ilinden ku do të marrë pjesë në një stërvitje nga anëtarët e forcave speciale.

Në kazermën Ilinden është paraparë që Stoltenberg dhe Shekerinska të japin deklaratë të përbashkët.

Ndërkaq, në prag të referendumit të planifikuar për më 30 shtator të këtij viti, pritet që kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe kryeministri i Austrisë, Sebastian Kurz ta vizitojnë Maqedoninë.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne