Studentët shqiptarë marrin certifikatat për zotërimin e osmanishtes

Instituti “Yunus Emre” në Tiranë organizoi aktivitetin e ndarjes së certifikatave për studentët e Shkollës Verore të Osmanishtes.

Shkolla Verore e Osmanishtes u organizua në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa pjesë e saj ishin dhjetëra studentë.

Në fjalën e tij në aktivitet, dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Sabri Laçi tha se kjo traditë e krijuar në tre vite do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Kjo shkollë i shërben Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Studimeve Albanologjike, të cilat kanë kaq shumë nevojë të eksplorojnë arkivat turke dhe arkivat e tjera kudo që ndodhen me materiale të shkruara në osmanisht. Janë me mijëra faqe, të cilat pasi të eksplorohen do të ndriçojnë periudha, figura, ngjarje dhe data të rëndësishme të historisë dhe të kulturës. Janë shumë shekuj për t’u eksploruar. Ju do të jeni studiuesit e ardhshëm”, u shpreh Laçi.

Ndërsa drejtori i Institutit “Yunus Emre” Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, në fjalën e tij përshëndetëse tha se vijimi i kësaj shkolle do të jetë i gjatë.

“Mësimi dhe edukimi ka rolin dhe rëndësinë e vet, çfarë do lloj gjuhe të mësosh, qoftë kjo osmanisht, turqisht apo diçka tjetër. Edukimi dhe procesi mësimdhënës është shumë i rëndësishëm për ne. Me sa kam arritur të kuptoj nga përvoja ime, kam vënë re se sa më shumë të mësosh aq më shumë i shkurton distancat mes shoqërive. Sa më shumë të studiosh aq më shumë heq dorë nga paragjykimet e tepruar dhe aq më shumë i afrohesh së vërtetës”, tha Demirbaş.

Kujtojmë se Shkolla Verore e Osmanishtes u organizua në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe Institutit “Yunus Emre” Tiranë, ndërsa pjesë e saj ishin 60 pjesëmarrës të ndarë në dy grupe, në nivelin fillestar dhe nivelin e avancuar, që u zhvillua nga data 9 deri më 20 korrik.

Pjesë e leksioneve, seminareve dhe aktiviteteve në kuadër të kësaj shkolle ishin studiues dhe profesorë nga Shqipëria dhe Turqia. Përveç përvetësimit të osmanishtes studentët pjesëmarrës morën njohuri për marrëdhëniet historike, gjuhësore, trashëgiminë kulturore osmane në Shqipëri, etj.

Njëkohësisht Shkolla Verore e Osmanishtes u organizua edhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës nga data 2 deri më 13 korrik. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne