Studenti nga Kosova, më i miri në matematikë në universitetin turk

Studenti nga Kosova, Afrim Bojnik, i cili studioi në Universitetin Teknik të Gebzes (GTÜ) në qytetin Koxhaeli të Turqisë me bursën turke të Departamentit të Kryeministrisë për Turqit që Jetojnë Jashtë Shtetit dhe Komunitetet e Afrishme (YTB) përfundoi studimet në Departamentin e Matematikës duke u zgjedhur më i miri i Departamentit.

Afrim Bojnik, është një nga 2 fëmijët e familjes punëtore. Fëmijërinë e kaloi nën hijen e luftës së Kosovës. Arsimin fillor dhe të mesëm i mori në vendlindjen e tij, në qytetin e Prizrenit në Kosovë.

Meqë kushtet ekonomike familjare ishin të kufizuara, Bojnik filloi t’i hulumtojë bursat ndërkombëtare për të vazhduar studimet e larta universitare. Pas udhëzimit të mësimdhënësve, Bojnik aplikoi në programin e bursave të Turqisë që ofrohet nga YTB dhe u pranua në Departamentin e Matematikës në GTÜ.

Studenti nga Kosova, i cili për matematikën ka qenë i interesuar që në fëmijëri, në fund të një pune të madhe e të disiplinuar, me një mesatare prej 3,76 nga maksimumi 4 (pikë krediti) arriti të bëhet studenti më i mirë i Departamentit. Ai me këtë fitoi nderin e mbajtjes së fjalimit në ceremoninë e diplomimit në GTÜ.

Bojnik në një prononcim për agjencinë turke të lajmeve AA (Anadolu Agency) thotë se edhe pse ishte fëmijë gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, ai i mbante mend ditët e vështira të asaj periudhe.

Duke treguar se në lagjen ku jetonin, kur ai ishte ende fëmijë, kishte ushtarë serbë. Bojnik thotë se “Nuk mund ta hapja as derën, nëna vinte menjëherë dhe më thoshte ‘Mbylle derën shpejt’. Kujtoj se ndonjëherë vinte zëri i bombave. Ishin ditë shumë të vështira për ne”.

Bojnik tregon se pas luftës me kushte të kufizuara ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm, por që kur kishte ardhur koha për studime universitare u shfaqën problemet ekonomike. “Arsimimi në Kosovë ishte shumë i kufizuar. Problemi kryesor për ne ishte universiteti. Ne kemi një universitet në kryeqytet, por për të studiuar aty duhet të kemi gjendjen e mirë ekonomike. Për t’i mbaruar studimet universitare duhet të fitoja bursë nga diku”, thotë ai.

– “Jam shumë i mërzitur që po ndahem nga ky universitet i bukur”

Bojnik tha se ka aplikuar në bursat e YTB-së, me udhëzimin e mësimdhënësve të tij. “I kisha notat e mira, pata mbaruar shkollimin e mesëm të lartë me gradë dhe kisha arritur suksese në olimpiada të matematikës. Për këtë arsye aplikimi im u pranua shpejt. Pastaj u pranova në Universitetin Teknik të Gebzes. Pas provimeve të gjuhës, unë fillova ti ndjek ligjëratat, por provimet afatmesëm përfunduan dhe unë shkova në atdhe për të pushuar. Gjatë kësaj kohe i shikova lëndët e dhëna në universitet. Në semestrin e dytë u ktheva dhe me një ritëm intensiv të mësimit e tejkalova këtë dhe e përfundova universitetin (katërvjeçar) për 3,5 vite. Unë i pata thënë vetes ‘Nëse e fitoj bursën atëherë do të bëj gjëra të bukura’. Unë u diplomova në universitet me një mesatare prej 3,76, duke u bërë më i miri i Departamentit. Jam shumë i lumtur që jam zgjedhur më i miri, por në anën tjetër jam shumë i mërzitur që po ndahem nga ky universitet i bukur”, tha studenti nga Prizreni i Kosovës.

Bojnik thekson se në GTÜ ka marrë një arsimim shumë të mirë dhe se profesorët e fakultetit dhe kolegët i kanë dhënë mbështetje të gjithanshme. “Ka fituar shumë gjëra nga GTÜ. Mendoj se këtu kam arritur sfondin tim akademik. Shpresoj se kjo do të vazhdojë. Kam marrë oferta nga dy universitete prestigjioze për master. Republika e Turqisë me të vërtetë më ka ofruar një ndihmë të vlefshme. Po të qëndroja në Kosovë nuk mund të arrija deri këtu”, tha ai.

Duke vënë në dukje se Turqia ka një rëndësi të madhe për Kosovën, Bojnik thotë se ky shtet po arsimon me bursa shumë studentë nga Kosova.

Bojnik po ashtu tha se ata që përfundojnë studimet e tyre në Turqi i transmetojnë njohuritë e tyre tek gjeneratat e reja në Kosovë. “Jo vetëm në arsim, por Turqia na ndihmon në çdo fushë si: art e arkitekturë. Për këtë arsye, për sa kohë që Turqia do të jetë e fortë, edhe ne do të jemi të fortë”, thotë ai./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne