Studenti shqiptar në Ankara, Ditar Kabashi promovoi librin “Komeditë serioze”

Në ambientet e Qendrës Kulturore Shqiptare në Ankara u realizua promovimi i librit “Komeditë serioze” të Ditar Kabashit, student i doktoraturës në Departamentin e së Drejtës Publike në Universitetin “Gazi” në Ankara.

Në mbrëmjen e organizuar nga Unioni i Studentëve Shqiptarë në Turqi morën pjesë stafi diplomatik i Republikës së Kosovës me në krye ambasadorin, Z. Avni Spahiu, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe studentë shqiptarë që vijojnë mësimet në Ankara.

“Komeditë serioze” është libër me përmbledhje të shkrimeve të një periudhe pesëvjeçare të Ditar Kabashit me përmbajtje të larmishme ku qëmtohen tematika të ndryshme në një stil të lirë nisur nga stisja për të mos qenë indiferent si qytetar ndaj çështjeve preokupuese sociale e politike.

Diskutimi mbi premisat, që autori i ofron në libër, ngjallën interesim tek audienca dhe u mirëpritën.

Vlerësim për librin dha edhe ambasadori Spahiu, i cili në cilësinë e shkrimtarit shprehu kritikën pozitive për penën e Kabashit duke theksuar se ky lloj i shkrimit i kujton periudhën më të ndritur të publicistikës shqiptare – atë të viteve 1920-30’.

Pas pyetje-përgjigjeve të pjesëmarrësve u organizua edhe një koktej rasti./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne