Sulm islamofobik në Bullgari kundër gruas dhe vajzave të zyrtarit musliman

Gruaja dhe dy vajzat e një zyrtari musliman në Bullgari përjetuan një sulm islamofobik në rrugët e Sofjes.

Bashkëshortja dhe vajzat e ndihmësit të kreut të myftive, Birali Birali, po kalonin në një qendër tregtare në Sofje, kur dy gra bullgare dhe një burrë i abuzuan verbalisht.

Bullgarët i vunë në shënjestër tre femrat që kishin veshur shami, duke u thënë “Nuk mund të silleni vërdallë” dhe fyerje të ngjashme.

Ata më pas sulmuan fizikisht vajzat e Biralit, të cilat janë 16 dhe 20 vjeç.

Zëdhënësi i Zyrës së Myftiut, Celal Faik deklaroi se gruaja dhe vajzat e Binalit u dërguan në spital pas incidentit.

Faik tha se zyra dhe bashkësia muslimane donin që sulmuesit të gjendeshin dhe të paditeshin, duke shtuar se nuk duan që ky incident i shëmtuar të jetë pa pasoja.

Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (HÖH) e solli çështjen në parlament, duke bërë një deklaratë mbi incidentin dhe duke dënuar islamofobinë në vend.

Kryetari i HÖH, Mustafa Karadayı tha: “Ne jemi të gjithë të tronditur. Është jashtëzakonisht e rrezikshme të veprojmë me urrejtje. Dikush duhet të thotë “Kur thuhet mjaft, mjaft”. Ne kurrë nuk do të ndalojmë së paralajmëruari kundër këtyre incidenteve. Le të kthehemi drejt tolerancës”.

Policia e Sofjes ka deklaruar se të dyshuarit janë gjetur dhe janë marrë për pyetje, ndërsa një deklaratë e plotë do të jepet pasi hetimi të përfundojë.

Incidenti vjen pasi nacionalistët bullgarë bllokuan tre pika kryesore kalimi me Turqinë në mars për të parandaluar mijëra turq me pasaporta bullgare që të votonin në zgjedhjet e Bullgarisë.

Bullgaria është shtëpia e një pakice muslimane prej 700,000 banorësh, shumica e të cilëve turq etnikë, ndërsa së paku 200,000 turq me pasaporta bullgare jetojnë në Turqi. Të dyja grupet përbëjnë më shumë se 10 për qind të popullsisë. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne