Sulmet ajrore turke vrasin 36 ushtarë pro-sirianë në Afrin

Të paktën 36 trupa pro-siriane janë vrarë nga një sulm ajror turk në rajonin Afrin, thotë një grup monitorues.

Sulmi ajror synonte një kamp në Kafr Jina në rajonin verior të Sirisë, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR).

Trupat pro-qeveritare hynë në Afrin dy javë më parë për të mbështetur forcat kurde. Ata janë duke luftuar një ofensivë ushtarake turke që u nis për të pastruar grupet kurde nga Afrini.

Turqia i konsideron terroristë, militantët kurdë të atjeshëm. Qeveria siriane ka denoncuar ofensivën si një “sulm të ashpër” mbi sovranitetin e saj dhe sipas mediave shtetërore, forcat u dërguan për të mbështetur kurdët.

Sulmi ajror erdhi në një nga ditët më të përgjakshme për trupat turke që kur filluan ofensivën në janar.

Tetë ushtarë turq u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën të enjten në luftimet në Afrin. Pesë “shokë heroikë ranë si dëshmorë dhe shtatë u plagosën”, thuhej në një deklaratë fillestare nga ushtria turke. Një deklaratë e dytë shpalli tre ushtarë të tjerë të vrarë dhe gjashtë të plagosur.

Nuk u dhanë detaje zyrtare për përleshjet, por agjensia private e lajmeve Dogan tha se luftëtarët kurdë përdorën tunele për të pritur forcat speciale turke në rrethin Keltepe.

Një helikopter turk u dërgua për të shpëtuar të plagosurit dhe u godit duke u detyruat të kthehej prapa, shtoi raporti.

Mijëra civilë në Afrin kanë ikur nga shtëpitë e tyre që kur filloi ofensiva e Turqisë. Qeveria turke thotë se milicia e Mbrojtjes së Popullit të Kurdëve (YPG) është një zgjatje e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka luftuar për autonominë kurde në Turqinë juglindore për tre dekada.

YPG mohon çdo lidhje direkte organizative me PKK. Asnjëra palë nuk ka lëshuar shumë informacione rreth viktimave, duke e bërë të vështirë të matet numri i vdekjeve në Afrin.

SOHR në Mbretërinë e Bashkuar thotë se më shumë se 141 civilë kanë vdekur, por Turqia e mohon këtë, duke thënë se vetëm luftëtarët janë në shënjestër. Muajin e kaluar, Amnesty International tha se granatimet pa dallim kishin vrarë një numër civilësh në Afrin./ gazetashqip

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne