Sulmet ndaj gazetarëve, Meta: Hetim të shpejtë e me transparencë

Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një takim me gazetarin Julian Shota, i cili u kërcënua me jetë pak ditë më parë në krye të detyrës. Ngjarja në fjalë u regjistrua pasi gazetarët shkuan në një lokal ku kishte ndodhur një shpërthim tritoli, ndërsa pronari i tij i kërcënoi duke mos i lejuar që të filmonin.

Meta shprehu shqetësimin e tij të thellë dhe dënoi me ashpërsi rastet tronditëse të ndodhura së fundmi, të kërcënimeve dhe agresioneve ndaj gazetarëve.

“Kërcënimi me jetë i gazetarit, Julian Shota, sulmi me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares, Klodiana Lala dhe moszbulimi i autorëve të rrahjes barbare së gazetarit, Elvi Fundo, janë ngjarje tepër të rënda që na ftojnë të gjithëve, veçanërisht organet e sundimit të ligjit, të hetojnë me shpejtësi, transparencë, në mënyrë të plotë e shteruese, të venë para ligjit këdo që qëndron pas tyre dhe të punojnë maksimalisht për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen. Mosndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, – tha Meta.

 

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne