Sulmi amerikan mbi Siri nuk do ta rrëzojë Asadin, por do të përziejë kartat dhe ndoshta do të ndezë një luftë rajonale ose globale…

A ia ofroi Rusia raketat “S-400” ushtrisë siriane? Përse disa arabë ishin përshëndetësit më të mëdhenj? Dhe kush do ta ndezë fijen e shkrepëses?

Abdul Bari Atuan

Nuk na befasoi aspak bombardimi amerikan i aeroportit ushtarak sirian Shajrat me raketa Tomahawk, që çoi në shkatërrimin e pistës së tij, gjashtë avionëve luftarakë, një depoje karburanti dhe vdekjen e rreth 12 personave mes ushtarakëve e civilëve (mes të cilëve edhe pesë fëmijë)… Gjithashtu, nuk na befasoi sepse ekzagjerimet, mobilizimet dhe aktet e nxitjes që vazhduan gjatë dy ditëve që e paraprinë atë dhe që u përqendruan në masakrën e shëmtuar kimike të Khan Sheikhunit, treguan se sulmi pritej të ndodhte.

Presidenti i ri amerikan Donald Trump tha se ishte duke shqyrtuar mundësitë e tij hakmarrëse, duke përfshirë edhe opsionin ushtarak, dhe ambasadorja e tij në Kombet e Bashkuara Nicky Healy tha se kur Këshilli i Sigurimit nuk është në gjendje të marrë një vendim, vendi i saj do të operojë në mënyrë të pavarur.

Administrata amerikane e dha vendimin e saj duke e dënuar qeverinë siriane për masakrën kimike që në minutat e para dhe nuk priti për ndonjë hetim ndërkombëtar të ndershëm, transparent e neutral. Kjo konfirmon teorinë që thotë se planet e agresionit janë përgatitur para kësaj masakre dhe ajo u përdor si një mbulesë për të.

Po, ky është një agresion amerikan që na kujton homologët e tij në Irak, Libi dhe Jemen nën disa pretekste, të cilët më vonë dolën se ishin falsë e të sajuar dhe të pabazuar në ndonjë autorizim ndërkombëtar. Qëllimi i këtij agresioni ishte për të rikthyer “madhështinë” e Amerikës dhe për ta paraqitur presidentin e saj të ri në pamjen e njeriut të fortë përmes agresionit mbi një shtet të dobët e të shkatërruar nga lufta.

***

Ne nuk pranojmë nga një vend si Amerika – që ka përdorur forcën kundër të paktën katër vendeve arabe duke i kthyer ato në shtete dështake e të shqyera dhe në arena për luftëra të përgjakshme e terrorizëm – të na flasë për humanizmin dhe të drejtat e njeriut. Ky shtet që ka kryer masakra – viktimat e të cilave janë më shumë se një milion irakianë, njëqind mijë libianë dhe ka marrë pjesë në vrasjen e 300 mijë sirianëve nëpërmjet mbështetjes së aleatëve të saj me para, armë e trajnime – është shteti i fundit që duhet të flasë për humanizëm.

Kemi thënë dhe e përsërisim se ne jemi kundër masakrës kimike, dënojmë ata që e kanë shkaktuar atë dhe i konsiderojnë kriminelë lufte, kushdo qofshin ata. Por ne duam fakte konkrete të ofruara nga një hetim ndërkombëtar neutral, pasi ne kemi vuajtur shumë nga gënjeshtrat dhe fabrikimet amerikane në Irak dhe Libi dhe kemi paguar një çmim shumë të lartë duke dhënë jetët e dëshmorëve tanë dhe gjakun e tyre.

Ky agresion mund të kthehet në një ortek që do ta zhysë rajonin arab në luftëra rajonale, apo edhe ndërkombëtare. Moska e dënoi ashpër agresionin nëpërmjet fjalëve të presidentit Vladimir Putin dhe konfirmimit të Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, i cili tha: “Ky ishte një agresion i përgatitur paraprakisht. Ndodhi për të përforcuar statusin e grupeve të armatosura terroriste dhe na kujton çfarë ka ndodhur në Irak në vitin 2003”. Ky agresion do t’i ngatërrojë të gjitha kartat, do ta rikthejë krizën siriane në gjendjen e parë, do t’i dëmtojë të gjitha përpjekjet për paqe dhe iniciativat e saj dhe do t’i përshkallëzojë mundësitë e luftës dhe të përleshjeve të përgjakshme në një spektër më të gjerë.

Udhëheqja ruse njoftoi pezullimin e mirëkuptimit ruso-amerikan rreth garancisë së sigurisë së operacioneve ajrore në Siri dhe vendosi të përforcojë mbrojtjen ajrore siriane, duke nënkuptuar se ndoshta mund t’i ketë dhënë apo do t’i japë ushtrisë siriane raketa antiajrore “S-300” dhe “S-400”, gjë që do i mundësojë asaj rrëzimin e çdo avioni amerikan apo izraelit që do të depërtojë në hapësirën ajrore siriane.

Ky agresion amerikan nuk do ta rrëzojë qeverinë siriane, ashtu siç dështoi i ngjashmi më të në Afganistan, i cili ndodhi si përgjigje ndaj dy sulmeve vetëvrasëse të “Al-Kaeda”-s në ambasadat amerikane në Najrobi dhe Dar es-Salam në vitin 1998 për eliminimin e “Al-Kaedës”, madje e bëri atë më të fuqishme dhe e nxiti për t’u përgatitur për sulmin e 11 shtatorit, me gjithë ndryshimin e madh në krahasim.

Ishte për të ardhur keq që Arabia Saudite ishte e para që e përshëndeti këtë agresion, pasuar nga pushtuesi izraelit dhe Turqia. Kjo nuk është për t’u habitur. Tri shtetet i bashkon një emërues i përbashkët: angazhimi në agresionet kundër fqinjëve të tyre. E para (Arabia Saudite) në Jemen, dhe e dyta (Turqia me “Mburojën e Eufratit”) në Siri dhe i treti (Izrael) në Rripin e Gazës, Liban e Siri.

***

Pas këtij agresioni, rajoni arab duket sikur qëndron pranë kraterit të një vullkani duke pritur për fijen e shkrepëses që mund të shkaktojë shpërthimin, viktimat e të cilit do të jenë arabët dhe myslimanët, siguria e tyre, stabiliteti i tyre dhe brezat e tyre të ardhshëm, të cilët mund të gjejnë vetëm shkatërrimin, falimentimin dhe urinë.

Kjo nuk është koha e analizës dhe e radhitjes së fjalëve, por koha e dallimit mes atyre që qëndrojnë në llogoren e agresionit dhe atyre që qëndrojnë në llogoren e përballjes me të… Zgjedhja jonë është e qartë, pa ekuivok dhe pa ambiguitet. Ne jemi me Sirinë dhe me popullin e saj – të çfarëdo shtrese dhe grupimi fetar, ideologjik a etnik pa asnjë diskriminim – dhe kundër këtij agresioni… ashtu siç u ngritëm kundër agresionit ndaj Irakut, Libisë dhe Jemenit. Nuk do të ndryshojmë qëndrim dhe as nuk do të bëjmë pazare… Jeta është qëndrim krenarie.

⃰ Opinion i kreut të redaksisë së gazetës elektronike “Ra’jul Jeum”, i datës 7 prill 2017/ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne