Bota

Sulmi amerikan ndaj Koresë Veriore do të tërheqë në luftë Kinën dhe Rusinë

Koreja e Veriut paralajmëroi SHBA të mos ndërmarrë akte provokuese në rajon, pasi në të kundërt do t’i përgjigjej me sulme bërthamore.

Koreja Veriore shënoi dje 105 -vjetorin e lindjes së themeluesit të saj Kim Il Sung. Një paradë madhështore ushtarake u mbajt në zemër të Phenianit, gjatë së cilës regjimi prezantoi arsenalin e fundit. Pamjet e shfaqura në televizionin shtetëror treguan ushtarët teksa marshonin së bashku me tanket në sheshin Kim Il Sung, në praninë e mijëra njerëzve si dhe të udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un. Mes arsenalit të prezantuar gjatë kësaj parade ishin edhe raketat e reja balistike ndërkontinentale të afta të transportojnë mbushje bërthamore. Për herë të pare u prezantuan edhe raketat balistike Pukkuksong që lëshohen nga nëndetëset. Shfaqja e muskujve vjen mes tensioneve në rritje, ndërsa një flotë luftanijesh amerikane i është drejtuar gadishullit korean.

‘Jemi gati t’i përgjigjemi luftës me luftë…sulmeve bërthamore do t’i përgjigjemi në të njëjtën mënyrë, sipas stilit tonë’-ishte komenti i Choe Ryong-hae, që besohet të jetë zyrtari i dytë më i rëndësishëm në Korenë e Veriut. Mediat amerikane thonë se mundësia e shpërthimit të luftës midis SHBA-së dhe Koresë Veriore është e madhe dhe se kjo luftë mund të shpërthejë gjatë këtij vikendi. Ndërkohë, Kina ka dërguar rreth 150 000 ushtarë në kufi me Korenë e Veriut, në pritje të përshkallëzimit të situatës. Edhe Rusia thuhet se ka dërguar mjete ushtarake në drejtim të qytetit, i cili është në distancë goditëse me Korenë e Veriut. Kjo lëvizje dramatike, e pakonfirmuar nga qeveria ruse, është vënë re nga banorët e qytetit kufitar dhe është publikuar në mediat sociale. Kjo vjen pasi Koreja e Veriut ka paralajmëruar se janë të përgatitur për t’iu përgjigjur me luftë SHBA-së, ndërsa Kina ka ftuar të dy fuqitë të tërhiqen nga përshkallëzimi. Që nga shfaqja e pamjeve në Vladivostok, frika është rritur se Koreja e Veriut mund të bëhet shkas për një konflikt që përfshin SHBA’në, Kinën dhe Rusinë.

Kina dhe Rusia e konsiderojnë Korenë e Veriut si shtet tampon, për të cilën ato kanë nevojë ta mbajnë ashtu, si garanci për sigurinë e tyre kombëtare. Këto dy shtete nuk dëshirojnë një shtet pro-amerikan në kufijtë e tyre jugorë. Në një kohë kur mediat kanë raportuar se Koreja e Veriut po përgatitet të kryejë testin e saj të gjashtë bërthamor, aleati i saj më i ngushtë Kina ka vlerësuar se situata është mjaft e tensionuar dhe se mund të ketë tensione nga momenti në moment.

Në një prononcim për mediat, Ministri i Jashtëm i Kinës, Vang Yi, u shpreh se Pekini zyrtar është i gatshëm që të dialogojë ose të ndërmjetësojë në kuadër të normalizimit të gjendjes, por shtoi se nëse do të ketë përplasje, prej tyre nuk do të dalë askush i fituar. Presidenti i SHBA Donald Trump gjatë fushatës elektorale premtoi se do të ndjekë politikën e mosndërhyrjes në shtetet e tjera dhe se do të përqendrohet në çështjet e brendshme të Amerikës, por sulmi raketor kundër Sirisë dhe kërcënimi ushtarak ndaj Koresë Veriore po dëshmon se Trump jo vetëm që po ecën në rrugën e paraardhësve të tij, por po shkon edhe më larg në politikat agresive militariste të SHBA./ PT

OPINIONE

INTERVISTA