Sulmohet xhamia në Mançester pak orë pas bombardimeve terroriste

Derës së një xhamie në Mançester i është vënë zjarri në një sulm “hakmarrës” të islamofobisë, pas shpërthimit të së hënës mbrëma në të njëjtin qytet, i cili la të paktën 22 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur, sipas deklaratave nga imami i xhamisë.

Imami i qendrës islamike Jamia Qasmia Zahidia në Oldham, Mohammad Siddiq tha se zjarri u vu të martën herët rreth orës 2 të mëngjesit përmes kutisë postare, kur një kalimtar dëshmoi flakët dhe thirri brigadën lokale të zjarrfikësve.

Askush nuk ishte brenda ndërtesës në kohën e zjarrit.

“Ne nuk kemi asnjë ide se pse dikush duhet të na sulmojë, ne jemi një qendër fetare dhe arsimore, jam këtu prej tre vitesh dhe nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, tha Siddiq.

Hetuesit ishin në skenën e zjarrit të martën në mëngjes dhe një hetim policor është duke u kryer, ndërsa ata studiojnë pamjet e kamerave.

Kur u pyet nëse sulmi mund të kishte qenë si përgjigje e bombardimeve të së hënës, imami tha se kishte mundësi, por se ata nuk mund të konfirmonin një motiv në këtë kohë.

“Është e trishtueshme të shohësh më shumë mjerime në Mançester. Ajo që ndodhi mbrëmë ishte e tmerrshme, por kjo nuk është mënyra për t’iu përgjigjur”, shtoi Siddiq. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne