Tabaku: Paketat e qeverisë qesharake, më të dobëtat në rajon, më shumë propagandë se akte

Në një intervistë për Ora News, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se qeveria ka hedhur në treg vetëm 78 milionë euro për rigjallërimin e ekonomisë.

Tabaku shtoi se ndihma e qeverisë është qesharake, pasi është më e vogla në rajon, kur parashikohet një ulje ekonomike me 5%.

“Ky është një ndryshim i prezantuar tri javë më parë nga qeveria, që do të thotë se bëhet fjalë vetëm për një shumë të vetme, nuk është se po i shtohen shtatë milionë euro të tjera. Kemi dy akte normative, akti i parë dha 18 mln euro për biznesin, e cila 8 javë pasi ka filluar izolimi dhe karantina, nuk është zbatuar e gjitha, por vetëm dhjetë milionë euro. Ndërsa kjo paketë e dytë i jep biznesit rreth 60 mln euro të tjera, pra në total 78 mln euro.

Kemi më shumë fjalë, më shumë propagandë nga kjo qeveri se sa akte. Është ndihma më e dobët në rajon, mbështetja më e ulët për ekonominë. Kur vetë thonë që janë hequr rreth 30% e punonjësve, kur vetë deklarojnë që deri në fund të viti ekonomisë do t’i mungojnë 1 mld euro, kur institucionet ndërkombëtare thonë se të gjitha se do të kemi një ulje të rritjes ekonomike me 5%. Qeveria shqiptare e kompenson këtë duke hedhur në treg 78 mln euro. A mjaftojnë këto për të mbështetur shqiptarët dhe për të rigjallëruar ekonominë?

Kjo është qesharake, unë kam hequr dorë, nuk e shoh më parlamentin, qysh kur kemi dalë në nga aty. Është qesharake ajo që diskutohet aty, është qesharake ndihma e qeverisë dhe është qesharake kjo që po ndodh me institucionet qeveritare, kur të gjithë duhet të ishin ngritur në këmbë, por këta tallen me njerëzit në nevojë, duke propozuar uljen e pensioneve”, tha Tabaku./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne