TAHIR EFENDI BOSHNJAKU

Nga: Nexhat Ibrahimi

Njihet me emrin Tahir Efendi Boshnjaku, sepse u lind në fshatin Llukare afër Novi Pazarit. Njihet edhe me emrin Tahir Efendi Gjakova, sepse aty jetoi, veproi dhe ndërroi jetë. Njihet edhe si Tahir Efendiu i Madh, sepse ka qenë mësuesi i parë në Medresenë e Vogël të Gjakovës, ka qenë shejh i Tarikatit Melami-Bajrami dhe është marrë me krijimtari. Ka jetuar kah fundi i shekullit XVIII (mbase u lind më 1770) dhe vdiq mbase më 1850. Me prejardhje nga Plava e Gucia. Pasi i kreu studimet në Stamboll, u kthye në Gjakovë. U caktua si profesor i Medresesë që u themelua më 1807. Shërbeu si misionar, poet, edukator, myderriz, imam, por njihej edhe si bejtexhi e shkrimtar. Jetoi një jetë të varfër e të vështirë. Vepra e tij, Emni Vehbije, e shkruar më 1251 h./1835, është libri i parë në gjuhën shqipe në Kosovë, që është transliteruar nga Ismail Haxhi Tahir Gjakova, dhe botuar pas 72 vitesh më 1907 në Sofje. Viteve të fundit janë gjetur edhe katër vepra në dorëshkrim, të panjohura deri tash, tre në gjuhën osmane e një në gjuhën arabe. Tahir Efendiu ka kontribuar edhe në përkthimin e Kur’anit, ku në njërën nga veprat e tij i gjejmë disa sure të shkurtra, të përkthyera në gjuhën shqipe, por të shkruara me grafi arabe.

Burimi: Nexhat Ibrahimi, Fjalor Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup, 2017, fq. 804.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne