Takimi Erdogan-Putin gjatë samitit të BRICS-it, bisedojnë për marrëdhëniet dypalëshe dhe Sirinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, realizoi të enjten një takim kokë më kokë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë samitit të BRICS-it në Johanesburg.

Dy liderët u takuan në orën 15.55 për të diskutuar çështje të ndryshme me interes të përbashkët. Takimi mes tyre zgjati 75 minuta dhe u fokusua kryesisht te Siria, marrëdhëniet dypalëshe dhe samiti i ardhshëm i Teheranit si pjesë e Procesit të Astanës.

“Çdolloj solidariteti mes nesh shkakton me të vërtetë xhelozi tek disa”, tha Erdogani përpara takimit.

Ai shtoi se ka pasur përmirësime në të gjitha fushat duke përfshirë politikën, ushtrinë, ekonominë, kulturën dhe tregtinë ndërmjet dy vendeve.

Pasi rikujtoi synimin e vëllimit tregtar ruso-turk prej 100 miliardë dollarësh, Erdogani shprehu besimin se do ta realizojnë këtë objektiv.

Kreu i shtetit turk vlerësoi gjithashtu shifrat e turizmit ndërmjet Rusisë dhe vendit të tij.

“Unë jam i mendimit se rreth 6 milionë turistë rusë do të vizitojnë Turqinë këtë vit”, deklaroi Presidenti Erdogan.

Vladimir Putini, nga ana e tij shprehu mirënjohje për kryerjen e projekteve të përbashkëta me Turqinë.

“Marrëdhëniet tona gjithmonë do të vazhdojnë të kapërcejnë kriza të ndryshme”, tha lideri rus duke shtuar se marrëdhëniet turko-ruse do të përmirësohen gjithashtu në ekonomi.

“Jam shumë i lumtur që po ju takoj”, shtoi Putini.

Pas këtyre deklaratave, dy liderët vazhduan takimin mes tyre pa praninë e mediave.

Presidentët Erdogan dhe Putin kanë realizuar plot 16 biseda telefonike këtë vit për të diskutuar çështje rajonale të ndryshme, veçanërisht Sirinë dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Në kuadër të takimeve bilaterale gjatë samitit të BRICS-it në Afrikën e Jugut, Presidenti Erdogan pati një takim edhe homologun kinez, Xi Jinping./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne