Takimi Rama-Merkel, organizata evropiane e medias rikujton shqetësimet për lirinë e shtypit

Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF) i bëri sërish thirrje qeverisë shqiptare për të respektuar lirinë e medias dhe të drejtat e gazetarëve.

Duke shfrytëzuar takimin mes Kryeministrit Rama dhe kancelares gjermane Merkel, ECPMF iu drejtua zëdhënësit të qeverisë Steffen Seibert duke i kujtuar gjendjen që ka aktualisht pushteti i katërt në Shqipërinë e drejtuar nga Kryeministri Rama.

Këtë ECPMF e bëri përmes një Twitter-i në faqen zyrtare, pak përara se fotoja ku Kryeministri Rama i dhuronte një libër me piktura kancelares Merkel të bëhej publike.

“Kancelarja gjemane Merkel priti kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në zyrat e qeverisë federale të premten. Rama ka udhëtuar në Berlin pas pjesëmarrjes në samitin e  Vishegradit në Pragë të enjten. Ne përsëri ngremë shqetësimin tonë për lirinë e medias në vend.” – shkruhej në Twitterin e ECPMF-ës.

Shqetësimet në lidhje me lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe profesionit të gazetarit kanë qenë të shumta vitin e fundit.

Në muajin korrik ECPMF e cilësoi lirinë e medias nën qeverinë Rama në “gjendje shqetësuese” ndërsa Këshilli i Evropës ka ngritur 4 herë alarmin për mbrojtjen e gazetarëve në Shqipëri.

Rasti i parë ishte i gazetares së Exit, Alice Taylor, ndaj së cilës mediat pro-qeveritare ndërmorën një fushatë denigruese, pas raportimit të saj në media ndërkombëtare lidhur me përgjimet e vjedhjes së zgjedhjeve dhe protestat kundër qeverisë. Në vijim, qeveria nuk i rinovoi asaj lejen e qëndrimit në Shqipëri, vendim që u kundërshtua nga Avokati i Popullit.

Rasti i dytë ishte kur policia sulmoi gazetarë dhe fotografë gjatë protestave antiqeveritare të qershorit. Alarmi i tretë në platformën e KiE për mbrojtjen e gazetarëve ishte pas propozimit të qeverisë të projektligjeve, që Kryeministri Rama i quan “paketa anti-shpifje”, por që censurojnë median.

Për rastin e katërt reagimi ishte pas mbylljes së dy emisioneve kritike ndaj qeverisë, të drejtuara nga Adi Krasta dhe Ylli Rakipi./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne