Takimi i rëndësishëm Macron-Putin

Presidenti francez Emmanuel Macron ka pritur në Versajë homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Takimi i parë mes dy udhëheqësve, sipas gazetës “Le Monde” është një përballje për “dialog pa lëshime”. “Pas shtrëngimit të fortë të duarve me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, edhe takimi i Macron me shefin e Kremlinit nuk do të vëzhgohet më me pak kujdes”, vazhdon e përditshmja franceze. Dy krerët e shteteve do të diskutojnë mbi një listë të gjatë subjektesh ndërkombëtare, ndërsa i duhet t’i japin një shtysë marrëdhënies dypalëshe të pllakosur nga “mosbesimi reciprok”, siç e ka përkufizuar më parë vet presidenti rus.

Bisedimet nuk kanë për të qenë të lehta, e Macron thotë se pret që në atë dhomë të dëgjohen disa fjalë të ashpra. Nuk ka shumë, që stafi i fushatës së tij akuzoi agjentët rusë për ndërmarrjen e disa sulmeve kibernetike, me qëllim dëmtimin e imazhit të 39-vjeçarit, ndërsa garonte për çelësat e “Elizesë”. Në samitin e G7-s në Siçili, megjithatë, Macron deklaroi se është “thelbësore të bisedohet me Moskën, sepse ka shumë çështje ndërkombëtare që nuk mund të zgjidhen pa u përfshirë në dialog me të”. Në takim do të bisedohet për raportet bilaterale, por edhe për konflitket në Siri dhe Ukrainë, si dhe luftën kundër terrorizmit. Megjithatë ekspertët nuk presin ndonjë përparim esencial. Takimi do të shërbejë më shumë për t’u njohur mes tyre, pa çështje protokolare, të cilat i ngarkojnë pritjet në Pallatin Elysée. Macroni do të pozicionohet si Presidenti i ri i Francës, si dikush që i përket një klubi të liderëve të rëndësishëm në Evropë.” Ai ka pasur një vizitë në Berlin, ku është takuar me Angela Merkel, por ishte edhe në samitet e NATO-s dhe G7-ës. Ndërsa Presidenti Putin do që të theksojë edhe njëherë pozicionet e Rusisë. Putini synon edhe diçka tjetër: Ai do të shikojë në sy Macronin dhe të bëjë një profil psikologjik të tij, të shohë se çfarë njeriu është Macroni dhe me çfarë gjuhe mund të flasë me të. Prej aneksimit të Krimesë në mars të vitit 2914 Putini ka qenë shumë rrallë mysafir në vendet perëndimore. Vizita në Francë i jep shansin që të tregojë se është i gatshëm të bisedojë për çështjet më të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa takimi i papritur me Macronin tregon se sa rëndësi i kushton ai çështjeve të tilla.

Vitet e fundit Putini ka qenë disa herë në Francë, por jo në takime bilatelare. Ai ishte në samitin e Normandisë dhe në Konferencën e Klimës në Paris. Takimi i tij i fundit bilateral me një president francez është mbajtur pesë vite më parë. Në qershor të vitit 2012 ishte takuar me Presidentin e sapozgjedhur François Hollande. Një takim tjetër të parashikuar për tetor të vitit 2016, Putini e pati anuluar pasi Hollande i dënoi sulmet ruse në Alepo dhe i klasifikoi ato si krime lufte. Qeveria e Macronit e ka kritikuar mungesën e dialogut me Rusinë. Macron ka thënë se veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe Siri janë kundër së drejtës ndërkombëtare, por zgjidhjet mund të gjenden vetëm me dialog konstruktiv dhe kjo deklaratë i ka shtuar shpresat e Putinit për marrëdhënie konstruktive me Francën gjatë mandantit të Macron./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne