Takimi Soylu- Koumoutsakos, në fokus fluksi i emigrantëve të parregullt

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu priti të enjten në takim ministrin grek të migracionit, Giorgos Koumoutsakos për të diskutuar rreth krizës së migracionit në Mesdheun Lindor.

Dy ministrat diskutuan për politikat e migracionit midis dy vendeve. Vizita e ministrit grek Koumoutsakos vjen pas rritjes drastike të numrit të emigrantëve që kanë mbërritur në Greqi.

Soylu gjithashtu do të takohet edhe me homologun e tij gjerman Horst Seehofer, atë francez Christophe Castaner dhe Komisionerin e BE-së për Migracion, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.

Rreth 77.400 emigrantë të parregullt arritën në Evropë përmes Mesdheut këtë vit, prej të cilëve 45.600 në Greqi, një pjesë në Spanjë, Itali, Maltë dhe Qipron Greke, bëri të ditur sot Agjencia e OKB-së për refugjatë.

“Diku rreth 315 mijë refugjatë të parregullt, në përpjekje për të arritur në Evropë përmes rrugëve të paligjshme, janë kapur në të gjithë Turqinë në nëntë muajt e parë të këtij viti”, tha Soylu.

Në vitin 2016 kancelarja gjermane Angela Merkel mbrojti marrëveshjen Turqi-BE për refugjatët me shpresë për ndalimin e fluksit të refugjatëve, pasi që afër një milion refugjatë mbërritën në Gjermani.

BE-ja ka premtuar 6 miliardë euro ndihma për të lehtësuar kushtet e jetesës të refugjatëve sirianë në Turqi, por vetëm 2.22 miliardë euro janë shpërndarë deri në qershor të këtij viti.

Po ashtu vendet e BE-së premtuan se për çdo sirian që kthehet në Turqi nga ishujt grekë, një tjetër sirian do të dërgohet nga Turqia në BE si pjesë e planit të risistemimit.

Por, ritmi i kthimit në Turqi nga ishujt grekë ishte i ngadaltë sipas marrëveshjes për shkak të problemeve të gjata ligjore dhe problemeve adminstrative në Greqi.

Vendet anëtare të BE-së kanë pranuar vetëm 20 mijë refugjatë sirianë nga Turqia që nga viti 2016.

Turqia aktualisht strehon rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se të gjitha vendet e botës. Ankaraja deri më tani ka shpenzuar rreth 40 miliardë dollarë për refugjatët. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne