Tarik Ramadan: ‘Përkrahësit e Izraelit përdorin islamofobinë kundër muslimanëve’

Mendimtari, akademiku, shkrimtari dhe islamologu me origjinë egjiptiane dhe shtetësi zvicerane, Tarik Ramadan, tha se “Shembujt e suksesshëm në botën islame shpërfillen, ndërsa fokusi është për të krijuar frikë ndaj problemeve rajonale dhe Islamit”.

Ramadan, njëherit nipi i themeluesit të Vëllazërisë Muslimane (Ihvan), Hasan el-Bena dha vlerësimet e tij lidhur me pikëpamjen e Perëndimit kundrejt botës islame, islamofobinë në rritje dhe detyrat e muslimaneve në luftën kundër kësaj dukurie.

“Duket qartë se sipas perëndimorëve, Islami dhe muslimanët duhet të përfaqësojnë ‘tjetrin’, ose, gjërat që janë jashtë shembujve të mirë të demokracisë. Edhe pse janë shembuj të suksesshëm, ata qëllimisht nuk flasin as për Turqinë, as për Malajzinë”, vlerëson Ramadan.

Ramadan është i mendimit se media perëndimore shpërfill shembujt e suksesshëm dhe zhvillimet pozitive në botën islame dhe përpiqet të krijojë perceptimin se “Islami është shkaktar i problemeve në rajon”.

“Perëndimorët thonë se gjoja Islami është shkaktar i diktaturave dhe korrupsionit në botën arabe. Aktualisht, kjo është politika që e shohim në median perëndimore”, shprehet Ramadan.

“Përkrahësit e Izraelit përdorin islamofobinë kundër muslimanëve”

Ramadan thotë se ka disa faktorë të rritjes së islamofobisë në Perëndim në vitet e fundit. Lidhur me këtë, ai akuzoi përkrahësit e Izraelit, të cilët, sipas tij, përpiqen të krijojnë frikë kundër Islamit, duke vënë në shënjestër muslimanët.

“Aktualisht, prania e muslimanëve në Perëndim është e dukshme. Mund t’i shohim ata në çdo vend. Nga ana tjetër, si reagim ndaj kësaj, kemi rryma të njohura, siç janë cionistët, të cilët përpiqen të krijojnë frikë kundër muslimanëve në SHBA dhe Evropë”, thotë Ramadan, duke shtuar se është i qartë fakti se muslimanët janë në shënjestër.

“Duhet të dimë se përkrahësit e Izraelit në SHBA dhe Evropë përdorin islamofobinë kundër muslimanëve”, shton ai.

“(Në botën arabe) Ekziston një lojë ekonomike që u shërben interesave të Perëndimit

Lidhur me pohimet se Perëndimi nuk u ka dhënë mundësi ndryshimeve në botën arabe viteve të fundit, Ramadan shprehet: “Kjo është e vërtetë. Megjithatë, ne duhet të flasim se çfarë ndodh (në shtetet e përfshira nga Pranvera Arabe) dhe t’i rishikojmë shkaqet. Kush ka mundur të përfitojë dhe aktualisht kush ka fituar në fakt nga këto zhvillime. Ne duhet t’i kërkojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve”, konsideron Tarik Ramadan.

Sipas tij, struktura ekonomike në botën arabe është nën kontrollin e SHBA-ve dhe Evropës. “Në kuadër të qëndrimit kundërshtues të Perëndimit ndaj Pranverës Arabe, ekziston një lojë ekonomike që u shërben interesave të tyre”, thotë Ramadan.

“Është i rëndësishëm përdorimi i një retorike islame eksplicite dhe me vetëbesim”

Ndërkaq, duke folur për përgjegjësitë e muslimanëve kundër islamofobisë, Ramadan thotë: “Muslimanët që jetojnë në Perëndim fillimisht duhet ta kuptojnë mirë Islamin dhe të drejtat e tyre në shoqëritë ku jetojnë. Për ta arritur këtë, ata duhet të marrin pjesë aktive në universitete, mjedise akademike, shoqëri dhe shoqata që punojnë në terren”.

“Është e rëndësishme prania e Islamit në Perëndim dhe përdorimi i një retorike islame eksplicite dhe me vetëbesim. Nga një shembull i paraqitur në këtë mënyrë, mund të përfitojnë edhe shoqëritë perëndimore”, shton ai.

Ramadan tërheqi vëmendjen për rëndësinë e organizatave të shoqërisë civile në Perëndim në luftën kundër islamofobisë. “Tani, edhe përkundër fushatave frikësuese mediatike kundrejt Islamit, shohim një ndryshim në drejtim të kuptimit të pranisë së muslimanëve dhe Islamit në shoqëri”, thekson Ramadan.

Duke potencuar rëndësinë e të qenit aktiv në shoqëri, Ramadan thotë se “Duhet të marrim pjesë më shumë në të gjitha rrjetet mediatike në perëndim, përfshirë edhe median alternative”.

“Edhe përkundër të gjithave, ne duhet të punojmë në mënyrë aktive në terren dhe të jemi zëri që dëgjohet”, tha mendimtari Ramadan.

Tarik Ramadan (55) ka lindur në vitin 1962 në Gjenevë të Zvicrës, ndërsa aktualisht punon si ligjërues në Institutin e Studimeve Orientale në Universitetin e Oksfordit./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne