Tatimet ‘kërcënojnë’ të punësuarit: Kujdes po ju monitorojmë, paga juaj është shumë më poshtë sesa e tregut

Tatimet po ushtrojnë presion tek kompanitë për të rritur deklarimet e pagave të punonjësve pa këto ditë, pa dhënë argumente ose fakte për nivelin real të pagave në këto njësi biznesi.

Nëpërmjet sistemit të deklarimit online “e-Filing” bizneset kanë marrë një njoftim jo të zakontë nga tatimet në të cilin thuhet se, ”Pas një procesi të vazhdueshëm verifikimi për pagat e punonjësve në tregun e punës, është konstatuar që paga e deklaruar nga ju për pozicionin e punës X, është ndjeshëm nën nivelin mesatar të tregut. Përveçse në shkelje të ligjit, ju sjellim në kujtesë se deklarimi më i ulët i pagave nga ato që realisht paguhen, sjell pasoja për punëmarrësit, duke i privuar ata nga të drejta përfitimi sidomos në të ardhmen. Me synimin së pari të ndërtimit të një marrëdhënie bashkëpunimi, Ju ftojmë të reflektoni në deklarimin real të pagave për punonjësit tuaj. Ju bëjmë me dije se Administrata Tatimore do vazhdojë të monitorojë aktivitetin tuaj dhe për çdo parregullsi për të cilën ju nuk keni ndërmarrë veprime vetëkorrigjuese, do të vijojë me masat që parashikon ligji”.

Një njoftim të ngjashëm morën zyrat e kontabilitetit, klinika mjekësore dhe dentare, por edhe biznese të tjera, ku njoftoheshin për rregullimin e pagave të ekonomistëve, gjinekologëve, kardilogovë, dentistëve etj.

Një nga kompanitë më aktivitet dentar pohoi se disa nga punonjësit e saj, paguhen realisht me paga minimale. “Kam 4 punonjëse, dy ndihmëse, një laborante dhe një pastruese që realisht punojnë me rroga minimale, pasi janë të angazhuar me orare të pjesshme”, thotë Lori që administron një klinikë dentare në Tiranë.

Një ekonomiste tjetër pohon se në kompaninë ku ajo punon, doktori realisht paguhet me pagë të ulët, pasi është i deklaruar part-time dhe punon vetëm një apo dy orë në javë.

Tatimet kishin lajmëruar një aksion për të formalizuar tregun e punës, pasi në shumë vëzhgime dhe anketa është vërtetuar se ka nën deklarim të pagës sidomos në profesionet e lira në mënyrë që të shmangen tatimet. Mirëpo mekanizimi që kanë zgjedhur tatimet për të luftuar informalitetin në këtë drejtim nuk ka argumentet e nevojshëm dhe provat se sa realisht janë pagat për kompanitë e “dyshuara”.

Me një situatë të ngjashme u ndesh edhe qeveria e Berisha në mandatin e parë, ku për të luftuar informalitetin në tregun e punës nisi aplikimin e pagave të referencës në të gjithë kategoritë e punonjësve në të gjithë sektorët. Kompanitë dhe punonjësit nuk mund të paguanin taksa dhe sigurime me poshtë se niveli i pagave referencë. Mirë kjo politikë e cila binte ndesh me parimet e funksionimit të tregut të lirë, ku përcaktuesi i pagës nuk mund të ishte shteti, e penalizoi Shqipërinë vitet e e mëvonshme në indekset e konkurueshmërisë dhe klimës së biznesit. Paga referencë u shfuqizua më vonë në vitin 2012.

Më vonë në vitin 2015 qeveria tentoi të rikthente pagat e referencës në profesionet e lira, por ky vendim u shfuqizua një vit më vonë nga Gjykata Kushtetuese./ Monitor

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne