Të burgosurit palestinezë në burgun izraelit nisin sërish grevë urie

Dhjetëra të burgosur palestinezë kanë hyrë në një grevë urie të hapur në një burg në territoret e pushtuara në shenjë proteste ndaj kushteve të vështira në burg.

Komisioni palestinez për cështjet e të burgosurve dhe të paraburgosurve tha të dielën se të paktën 50 të burgosur kishin refuzuar të hanin në një burg në qytetin jugor të Ashkelonit.

Komisioni i quan autoritetet izraelite plotësisht përgjegjëse për çdo përshkallëzim të situatës në burg.

“Të gjitha masat kryhen me urdhër të Yaakov Shalomit, kujdestarit të burgut, i cili kryen kërcënime kundër të burgosurve duke i provokuar dhe shantazuar ata,” tha ai.

Të burgosurit palestinezë që kanë hyrë në grevë kërkojnë gjithashtu që zyrtarët izraelitë të ndryshojnë masat ndëshkimore të implementuara pas muajit të shenjtë të Ramazanit dhe të vendosura gati dy muaj më parë. Që atëherë, autoritetet izraelite kanë shkelur shpesh liritë fetare, duke i ndaluar të burgosurit të praktikojnë ritualet fetare dhe të mbajnë falje të përbashkëta.

Të burgosurit kanë qenë gjithashtu subjekt i trajtimeve degraduese dhe janë sulmuar vazhdimisht gjatë muajve të fundit.

Më shumë se 7,000 palestinezë thuhet se mbahen të paraburgosur në burgjet izraelite. Qindra të burgosur janë ndaluar nën praktikën e paraburgimit administrativ, një politikë sipas së cilës të burgosurit palestinezë mbahen në qendrat e paraburgimit në Izrael pa gjyq ose akuza. Disa të burgosur palestinezë janë mbajtur në paraburgim administrativ deri në 11 vite.

Muajin e kaluar, një studim zbuloi se Izraeli kishte arrestuar rreth 16,500 fëmijë palestinezë që nga shpërthimi i Intifadës së Dytë (kryengritja) në fund të vitit 2000.

Të burgosurit palestinezë zhvillojnë rregullisht greva urie në shenjë proteste ndaj politikës administrative të burgimit dhe kushteve të ashpra në burgjet izraelite./press/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne