Të flasësh gjuhën e zemrës në një epokë të kuptimit të humbur

 

Autor: Ibrahim Kalin*

Sipas “Ethnologue”, një burim online mbi gjuhët botërore, ka më shumë se 7.000 gjuhë të gjalla. Disa fliten nga qindra-miliona njerëz, disa nga komunitetet shumë më të vogla. Njëzet e tre (23) gjuhë përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës. Të gjithë ato kanë të njëjtin qëllim dhe funksion: Të komunikojnë mendime, kuptime dhe ndjenja midis njerëzve. Në botën jashtëzakonisht të larmishme të gjuhëve, ne shprehim idetë dhe ndjenjat tona, si dhe u themi diçka vetes sonë e njerëzve të tjerë. Ne e përcaktojmë kuptimin e veprimeve tona përmes fjalëve dhe fjalive. Teorikisht, ne i zgjidhim dallimet tona përmes komunikimit racional. Por vallë a na lejon gjuha e njëjtë t’i shprehim idetë tona gjithmonë drejt dhe siç duhet?

Ka raste kur e njëjta gjuhë nuk ndihmon në tejkalimin e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve. Në këtë pikë ne kemi nevojë për diçka më shumë sesa aftësia gjuhësore për të arritur mendjet dhe zemrat e bashkëqenieve tona njerëzore. Pikërisht këtu hyn në mes Mevlana Xhelaledin Rumiu, kur ai thotë: “Është më mirë të flasësh të njëjtën gjuhë të zemrës sesa të njëjtën gjuhë.” Mendimet domethënëse, të shprehura përmes gjuhës, kanë kuptim kur nuk arrijnë vetëm mendjet, por edhe zemrat e bashkëbiseduesve tanë. Ato kanë ndikim në shpirtrat dhe mendjet tona kur komunikohen nëpërmjet gjuhës së zemrës.

Koment – Epoka e paqartësisë dhe e përulësisë | TRT  Shqip

Fjalët e folura përmes gjuhës së zemrës mund të dëgjohen vetëm kur vijnë nga një zemër tjetër. Kjo do të thotë që ne duhet të stërvitim zemrat tona për të folur me zemrat e tjera. Rumiu beson se të gjitha qeniet njerëzore janë të lindura me aftësinë për të folur këtë gjuhë. Në të vërtetë, tradita intelektuale islame pohon se zemra është një organ epistemik po aq i rëndësishëm sa mendja dhe intelekti. Zemra nuk është vetëm çerdhe e ndjenjave dhe emocioneve. Ajo është gjithashtu një depozitë e mendimeve, ideve dhe kuptimeve. Një nga gabimet e kushtueshme të filozofisë moderne ishte transformimi i zemrës njerëzore, strehë e njohurive lumturuese dhe të realizuara, në një shqisë thjesht sentimentale dhe psikologjike.

Mendja dhe zemra nuk janë armike të njëra-tjetrës. Përkundrazi, ato formojnë dhe kompletojnë personalitetin e njeriut. Pa njërën prej tyre, njeriu si individ bëhet i paplotë dhe kaba. Mendja ose arsyeja në vetvete nuk mund të përcjellin të gjitha mendimet dhe ndjenjat tona, sepse ne jemi më shumë sesa thjesht “makina të arsyeshme”. Ne jemi gjithashtu qenie njerëzore që ndiejmë për të tjerët, që lutemi, që qajmë, që gëzojmë për gjëra të bukura dhe që mendojmë për kuptimin e ekzistencës sonë në këtë botë kalimtare.

Koment - Të jesh në botë, por jo i asaj! | TRT  Shqip

Zemra në vetvete nuk do të jetë e mjaftueshme për të shprehur mendimet dhe idetë tona në një mënyrë të qartë dhe logjike. Zemra dhe mendja së bashku na japin një vetvete të integruar, që e sheh botën njëkohësisht përmes syve të parimeve racionale dhe vlerave më të larta, të mbilogjikshme. Me mendjen dhe gjuhën tonë, ne krijojmë domethënie. Por ne arrijmë gjithashtu në kuptimin, që është i ngulitur në natyrën e qenësishme të gjërave. Ne u qasemi gjërave me korniza mendore për t’i kuptuar ato. Por e vërtetë është po ashtu që gjërat na paraqiten si struktura me kuptim dhe domethënie. Sa më shumë që zbulojmë domethënien, aq më shumë krijojmë. Saktësisht këtu, mendja dhe zemra ushqejnë njëra-tjetrën dhe na japin një kuptim tërësor të realitetit.

I kthehemi sërish Rumit. Përse ai preferon të flasë gjuhën e zemrës në vend të së njëjtës gjuhe? Arsyeja është e thjeshtë, por njëherësh e thellë. Njerëzit e së njëjtës bote gjuhësore mund të kenë ide të ndryshme, kurse gjuha e zemrës kapërcen dallimet e vogla dhe lartëson kuptimin e qenieve njerëzore në një nivel më të lartë perceptimi. Njësoj sikur të ngjitemi në majë të një mali, nga ku shohim të gjithë luginën dhe jo vetëm një pjesë të saj. Sa më lart që arrijmë, aq më e thellë është kuptueshmëria jonë. Është pikërisht ky konceptim më i thellë, jo dengu i informacioneve të patretura dhe të papërvetësuara, i cili na udhëheq drejt pjekurisë intelektuale, besimit, virtytit e dhembshurisë. Këto janë vlerat dhe parimet që nxjerrin në pah më të mirën e njerëzimit tonë.

Koment-Bota islame duhet të ngrihet nga gjumi i thellë që ka rënë | TRT  Shqip

Kjo gjithashtu shpjegon apelin universal të Rumit, edhe pse ai ka e derdhur në letër shumicën e poezive të tij të përjetshme në një gjuhë të caktuar, në një kohë dhe vend të caktuar. Ashtu si të gjithë të urtit, ai kërkon të arrijë kuptimin universal dhe të përhershëm të gjërave përtej shprehjeve të tyre të veçanta. Ai kërkon kuptimin dhe jo formën, pa e neglizhuar këtë të fundit. Në fund të fundit, ai është një poet i aftë të shprehë kuptimet më të thella në poezi të bukura dhe me histori marramendëse. Ai u fokusua te domethënia, sepse e dinte që “kuptimi” është i përjetshëm. Dhe kuptimi na fal liri, na bën të lirë. (Daily Sabah)/ trt

*Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne