“Të formohet sa më shpejtë qeveria e re në Kosovë”

Formim të shpejtë të qeverisë kanë kërkuar në një deklaratë të përbashkët Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Misioni i EULEX-it dhe shefat e Misioneve të BE-së në Kosovë.

Një gjë e tillë siç bën të ditur njoftimi me deklaratën e këtyre institucioneve ndërkombëtare në vend, thuhet se po kërkohet për të çuar përpara procese të rëndësishme që kanë të bëjnë me ekonominë, sundimin e ligjit, marrëdhëniet me Beogradin zyrtar dhe me integrimin evropian.

“Seanca  është caktuar të mbahet më 26 dhjetor. Zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet. Ky është thelbi i procesit demokratik”, shkruan në këtë deklaratë.

Në deklaratën e përbashkët të tyre shprehet besimi se “palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar sfidat e mbetura”, ngase “Kosova duhet që me urgjencë të vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradin të cilin e lehtëson BE-ja”.

“Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”, përfundon deklarata.

26 dhjetori është caktuar me kompetenca kushtetuese nga presidenti i vendit Hashim Thaçi si datë për mbajtjen e mbledhjes konstituive të legjislaturës së re, ditë për të cilën kryeparlamentari Kadri Veseli tha të mërkurën se janë gati për këtë mbledhje.

Në anën tjetër partia e parë e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, Vetëvendosje, ende nuk ka arritur të formojë koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Për herë të fundit ata janë takuar në Kuvendin e Kosovës më 14 dhjetor në një takim që zgjati më shumë se katër orë pa ndonjë rezultat në marrëveshje finale. Dje pas një mbledhjeje të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, kreu i partisë Isa Mustafa tha se tani përgjegjësia kryesore është tek Kurti, i cili duhet të ndërmarrë iniciativa deri tek marrëveshja për bashkëqeverisje mes tyre./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne