Të gjitha detajet e skemës së paligjshme për pagesën e fotos së Ramës me Obamën

William Argeros, i cili ndihmoi në vitin 2012 Edi Ramën për të kanalizuar 80 mijë dollarë në fushatën presidenciale të Barack Obamës për të siguruar një fotografi me të, u dënua të hënën me katër muaj burg nga gjykata e Floridës.

Ai kishte pranuar më parë se kishte thyer ligjet amerikane, që ndalojnë financimin e huaj në fushatat zgjedhore amerikane, dhe se kishte gënjyer hetuesit amerikanë për rolin e tij në këtë shkelje. Argeros ka pranuar se burimi i huaj ka kryer gjatë një viti disa pagesa nga 25 mijë dollarë ose më shumë, me qëllim sigurimin e shumës prej 80 mijë dollarësh.

Argeros është personi i dytë, pas Bilal Shehut, i cili dënohet për planin e paligjshëm të Edi Ramës, atëherë udhëheqës i opozitës, për të siguruar një foto me Presidentin amerikan Obama, të cilën e përdori në fushatën zgjedhore të vitit 2013 në Shqipëri.

Rama, Shehu dhe Argeros në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanalizuan, përmes një serie operacionesh financiare, 80 mijë dollarë nga jashtë SHBA-ve në llogari të Komitetit për Rizgjedhjen e Obamës, me qëllim sigurimin e dy ftesave në një darkë me Presidentin Obama.

Pas këtij dhurimi, Shehu dhe Rama udhëtuan në tetor 2012 në San Francisco, por atyre iu refuzua hyrja e planifikuar në darkën me Obamën. Megjithatë, Edi Rama arriti të bënte një foto me Obamën para se ai të hynte në sallën e darkës.

Shkaku për refuzimin e hyrjes kishte të bënte me dyshimin e menjëhershëm që patën punonjësit e fushatës Obama për fondet e dhuruara nga Bilal Shehu, dyshime të cilat ata i raportuan tek autoritetet federale.

Si rezultat, FBI nisi një hetim, i cili zbuloi skemën e paligjshme të treshes Shehu-Argeros-Rama, që çoi në dënimin e dy nënshtetasve amerikanë Shehu dhe Argeros. Edhe pse Edi Rama nuk ishte objekt direkt i hetimit amerikan, për të u hapën hetime në Shqipëri, por hetimi u mbyll menjëherë nga prokuroria shqiptare.

Si është bërë pagesa e parave nga Shqipëria në Amerikë

Fillimisht 80 mijë dollarë janë transferuar nga një kompani në Shqipëri diku jashtë.

Më pas, paratë hynë në SHBA përmes një operacioni të fshehtë qarkullimi parash, duke përdorur dërgesa të njëpasnjëshme në një sërë vendesh të ndryshme me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.

Paratë përfunduan në llogarinë e William Argerosit, i cili në shtator 2012 ia transferon ato  Bilal Shehut, shtetas amerikan me origjinë shqiptare.

Pas disa ditësh, Shehu ia dhuroi këtë shumë fushatës për rizgjedhjen e Presidentit Obama.

Si rezultat i dhurimit, ai fitoi mundësinë të merrte dy bileta për të marrë pjesë në një darkë me ftesa, të organizuar nga Presidenti Obama.

Në fillim të tetorit 2012, Shehu udhëtoi në San Françisko për të marrë pjesë në darkën ne fjalë, së bashku me një nënshtetas të huaj—bëhet fjalë për Edi Ramën.

Shtetasit të huaj, pra Edi Ramës, iu mohua hyrja në aktivitet, por atij iu lejua, sidoqoftë, të bënte një fotografi me Presidentin Obama teksa ky i fundit po hynte në sallë./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne