Shqiperia

“Të gjithë në terren, shumë shpejt do ketë zgjedhje”! Basha mobilizon partinë, 5 kërkesat e tij të forta

Ka përfunduar pas më shumë se dy orësh mbledhja e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me Kryesinë dhe ish-grupin parlamentar. Mbledhja është zhvilluar në selinë blu dhe, siç raporton për “BalkanWeb” gazetari Osman Stafa, janë diskutuar pesë çështje të rëndësishme.

Burime nga mbledhja i kanë thënë gazetarit Stafa se kërkesa kryesore e kreut të PD ka qenë përgatitja për zgjedhje të parakohshme. “BalkanWeb” mëson se Basha iu ka kërkuar të gjithë ish-deputetëve të tij të shkojnë dhe të punojnë me strukturat në të gjitha qarqet, pasi sipas tij, shumë shpejt vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale, të cilat do të zhvillohen brenda një dite dhe me një qeveri tranzitore.

Një pikë tjetër e diskutuar në mbledhje, sipas gazetarit Stafa, është gatishmëria për protesta. Para 18 tetorit, nuk do të ketë asnjë protestë, pasi sipas Bashës, do hiqte vëmendjen nga vendimi i KE për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

Pika tre mësohet se është ritmi i punës në terren, ku Basha ka kërkuar të punohet fort për zgjedhjet e parakohshme. Basha ka kërkuar që PD të thithë brenda saj sa më shumë të rinj.
Paketa anti-krizë është një tjetër çështje e diskutuar në mbledhjen e PD.

Sipas PD dhe opozitës, është pikërisht kjo paketë, që do bëjë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pika e fundit, që është diskutuar, është Reforma Zgjedhore, që shihet si pikënisje për dialog./balkanweb