Të gjithë skenarët/ Çfarë e detyroi Ard Veliun të flasë për terroristët

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ard Veliu, u shfaq në mesin e kësaj jave për të prezantuar rezultatet, sipas tij, të një hetimi që parandaloi rreth një vit më parë një atentat terrorist në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, nga disa shtetas iranianë, në Mars 2018.

Kryepolici renditi disa emra si organizatorë, të gjithë nga Lindja e Mesme, të cilët nuk kanë lidhje të dukshme me Shqipërinë. I vetmi ndër ta është Abdulselam Turgut, i cili rezulton se është arrestuar për pak kohë në Shqipëri, në vitin 2011, për llogari të hetimit të autoriteteve gjermane për një ngarkesë të madhe kokaine.

Ard Veliu shpjegoi se objektiv i atentatit të parandaluar ishin drejtues të opozitës iraniane MEK, të cilët strehohen në Shqipëri dhe do të ishin prezent në Festën e Sulltan Novruzit në selinë e bektashinjve, në Tiranë.

Konferenca për media e kryepolicit shqiptar krijoi disa pikëpyetje të mëdha. Ai foli për një atentat të parandaluar para një viti, rast për të cilin është raportuar gjerësisht në media në atë kohë. Veliu deklaroi se policia kishte zbuluar organizatorët e atentatit të dështuar, pa dhënë asnjë detaj se çfarë veprimesh kanë kryer uniformat blu shqiptare, mbi disa persona, për të cilët nuk ka asnjë ide se ku ndodhen.

Për atentatin e dështuar të vitit të kaluar nuk ka asnjë të arrestuar, madje as të shoqëruar, në bazë të të cilëve Policia Shqiptare të siguronte të dhëna për organizatorët.

Është e qartë se atentati, i cili nga shumë burime pranohet se ishte rrezik real, u parandalua me sukses, falë bashkëpunimit dhe informacionit të autoriteteve ligjzbatuese partnere me Shqipërinë.

Por, ajo që krijoi ngritje supesh tek ekspertët e sigurisë dhe në media ishte fakti: Përse doli Ard Veliu në konferencë për media, një vit pas ngjarjes? Kjo pikëpyetje e parë shoqërohet me një të dytë: “Kush e detyroi?

Boldnews.al” po rendit disa prej “skenarëve”, të cilët nxitën kryepolicin shqiptar të shfaqet para qytetarëve me një deklaratë, më shumë të rrëmujshme se sa sqaruese. Këto “skenarë” janë nga më “globalët”, tek ata “më lokalët”.

Skenari 1-nxitje nga amerikanët
Dalja publike e Drejtorit të Policisë së Shtetit u shoqërua me etiketimin ““e çuditshme” nga analistë dhe ekspertë të sigurisë.

Në përgjigje të këtij etiketimi, “burime” të larta policore u angazhuan menjëherë për të shpërndarë, të paktën në qarqe mediatike, variantin se konferenca e Veliut për rastin e vitit 2018 ishte një kërkesë e amerikanëve.

Mbështetësit e këtij “skenari” argumentojnë se partnerët tanë më të rëndësishëm duhet t’i japin botës sinjale për rrezikun e grupeve iraniane dhe, për këtë arsye, nxisin vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë, që të tregojnë me fakte këtë gjë.

Skenari 2-Demostrim force
Ka nga ata optimistë që mendojnë se kryepolici shqiptar, nëpërmjet konferencës për media, demonstroi forcën e autoriteteve shqiptare për të përballuar sfidën globale kundër terrorizmit.

Ky skenar ka pak gjasa që të jetë i besueshëm, për disa faktorë;

– Shqipëria, për shkak të potencialeve të reduktuara logjistike dhe infrastrukturore, e ka të pamundur të zhvillojë e vetme hetime për elementë terroristë. Vendi ynë ka zgjedhur qasjen strategjike për të qëndruar në krah të fuqive Perëndimore, të cilat furnizojnë, mbështesin dhe inkurajojnë luftën kundër terrorizmit.

– Shqipëria, qytetarët shqiptarë dhe interesat ekonomike të vendit tonë, të paktën deri më tani, nuk rezulton të kenë qenë objektiv primar i sulmeve terroriste. Siç ka analizuar më parë “Boldnews.al”, dy atentate të planifikuara dhe, fatmirësisht të neutralizuara në territorin shqiptar, nuk lidheshin drejtëpërdrejtë me interesat e Shqipërisë.

Por, gjithësesi, realizimi i tyre do të sillte pasoja katastrofike për jetën, shëndetin dhe pasurinë e qytetarëve shqiptarë dhe të Shqipërisë.

Në nëntor të vitit 2016, autoritetet shqiptare parandaluan skenarin e atentateve me eksploziv në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku ishte parashikuar të luhej ndeshja Shqipëri-Izrael. Objektivi i atentateve ishin anëtarët e ekipit izraelit, por pasojat e veprimeve terroriste, natyrisht, nuk do të kursenin jetën e qytetarëve shqiptarë që kishin zgjedhur të ndiqnin ndeshjen dhe jo vetëm atyre.

Në Mars 2018, u parandalua atentati në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, gjatë festës së Sulltan Novruzit. Objektivi kryesor, edhe në këtë rast, ishin jo-shqiptarë. Në qendër të atentateve dyshohet se ishin anëtarët e opozitës iraniane-MEK-të cilët ishin pjesëmarrës në festën, ku gjendeshin edhe autoritete shumë të lartë shqiptare.

Në rast të kryerjes së atentatit, pasojat tragjike do të godisnin këdo që ishte i pranishëm në selinë fetare-shqiptarë dhe anëtarë të MEK.

Skenari 3-Negociatat me BE
Skenari i dytë është më “rajonal”. Opozita, por edhe zëra të tjerë autoritarë publikë, e shohin daljen publike të Kryepolicit Veliu për çështjet e terrorizmit, si një mjet qeveritar për të shmangur vëmendjen nga dështimi me hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Mbështetësit e kësaj teze theksojnë se kryeministri Edi Rama ka nxitur shefin e Policisë për të dalë në konferencë për media, me qëllimin që të “vrasë dy zogj”.

E para, që qytetarët shqiptarë të harrojnë dështimin qeveritar me negociatat.

E dyta, që skeptikët europianë, të cilët e shohin Shqipërinë si një vend me shumicë myslimane, t’u jepet sinjale se vendi ynë ëshë në anën e fuqive perëndimore. Ky variant i dytë u shkon për shkak atyre që justifikojnë dështimin e qeverisë për përmbushjen e reformave, me argumentin aspak të qënësishëm të “albanofobisë” në disa vende europiane.

Skenari 4- Sulm gjyqtarit Gjin Gjoni
Ka të tjerë që mendojnë se Ard Veliu doli në konferencë për të goditur gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Gjin Gjoni.

Në vitin 2011, gjyqtari Gjoni ishte kryetar i trupës gjykuese, e cila vendosi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Abdulselam Turgut, një prej atyre që konsiderohen sot si organizatorë të atentatit të dështuar në Festën e Sulltan Novruzit.

Shtetasi turk Turgut u arrestua në Shqipëri për llogari të autoriteteve gjermane. Gjykata e Apelit zbuti masën e sigurisë, vendim që u mbështet edhe nga Gjykata e Lartë. Pas “arrestit në shtëpi”, Abdulselam Turgut u arratis dhe humbi çdo gjurmë për autoritetet shqiptare.

Gjyqtari Gjin Gjoni është një ndër më të goditurit publikisht nga qeveria e majtë gjatë viteve të fundit dhe, për këtë arsye, një “sulm” i radhës ndaj tij nuk duhet të bënte përshtypje të madhe.

Por, mbështetësi e këtij skenari e lidhin sulmin e radhës ndaj Gjin Gjonit me një proces ligjor që po zhvillon bashkëshortja e tij, për licensën e dyqaneve “duty-free” në aeroportin e Rinasit, të cilat janë menaxhuar prej saj gjatë viteve të fundit.

Skenari 5- “Sinjal” biznesmenit të njohur
Menjëherë pas konferencës së Ard Veliut, përfaqësues të medias risollën në vëmendje dyshimet për një lidhje të hershme trafiku narkotikësh ndërmjet turkut Abdulselam Turgut dhe një biznesmeni të njohur në Tiranë.

Kjo lidhje përbën edhe skenarin e katërt mbi shfaqjen publike të Ard Veliut. Një grup personash, më i vogël në numër, mbështesin idenë se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë i dërgoi sinjale publike këtij biznesmeni, nëpërmjet konferencës, ku shfaqi rezultatet e një hetimi anti-terror, pa rezultate konkrete./boldnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne