Të hënën rinis transporti publik, Bashkia: Ja protokolli i sigurisë që do zbatohet

“Ditën e hënë, do të rinisë aktiviteti i transportit publik për linjat që nuk kanë filluar ende”.

Kështu bën të ditur bashkia e Tiranës e cila deklaron më tej se sipas dakordësisë së arritur mes Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe Shoqatës së Shoqërive të Transportit Publik Urban, ky shërbim ndaj qytetarëve do të fillojë normalisht, ndërsa është dakordësuar edhe për protokollin e sigurisë, fal edhe miratimit të dhënë për këtë qëllim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas protokollit të përcaktuar dhe publikuar nga bashkia, çdo përdorues i transportit publik qytetas/rrethqytetas është i detyruar të përdorë maska gjatë udhëtimit me autobus, si dhe këshillohen të mbajnë një distancë sigurie.

“Në stacionet e qëndrimit udhëtarët janë të detyruar të përdorin maska gjatë pritjes së autobusit ndërsa personeli i transportit publik qytetas/rrethqytetas (shoferë, faturino, kontrollorë) do të jenë të detyruar të përdorin maska.
Për të maksimalizuar sigurinë ndaj COVID-19, edhe punonjësit e shërbimit të operatorëve si: kontrollor, dispecer, si dhe stafe të tjera plotësuese do të jenë të pajisur me maskë mbrojtëse në momentin që janë prezent në mjet gjatë kryerjes së shërbimit.

Ndërkaq, sikurse është rënë dakord mes Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe Shoqatës së Shoqërive të Transportit Publik, mjetet e operimit do të dezinfektohen në mënyrë periodike në ambientet e operatorit transportues nga stafi i tij dhe mjetet e operimit në transportin qytetës/rrethqytetas për personelin e shërbimit (shoferë, faturino, kontrollorë) do të pajisen me dizinfektantë me bazë alkooli”, bën të ditur Bashkia e Tiranës.

Më tej theksohet se gjatë udhëtimit duhet të bëhet e mundur ajrimi i ambienteve të brendshme të mjetit, përgjatë gjithë kohës së udhëtimit, nëpërmjet sistemeve të ajrimit të vendosura në pjesën e sipërme të mjetit ose duke mbajtur hapur pjesët strukturore të dritareve që e kanë këtë mundësi në rastet kur mjeti është i pajisur me dritare ose me sisteme ajrimi.

“Në çdo mjet do të vendosen postera për respektimin e rregullave të higjienës, të rekomanduara nga OBSH-ja, të vendosura në vende të dukshme për udhëtarët.
Për zbatimin me rigorozitet të masave të sigurisë, çdo udhëtar dhe punonjës i transportit publik mban përgjegjësi personale për mosrespektimin e këtij protokolli, si dhe janë objekt kontrolli nga organet kompetente dhe masat e parashikuara në protokollin e sigurisë do të kontrollohen nga organet kompetente”, informon Bashkia./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne