Të huajt mund të humbin “vizën” kur abuzojnë me ndihmat sociale

E drejta e qëndrimit për një të huaj në Zvicër mund të humbet jo vetëm në rast se ai ka kryer ndonjë vepër penale. Ligji për të Huajt parasheh që edhe shfrytëzimi i tepërt dhe i pandërprerë për një kohë të gjatë i ndihmave sociale mund të jetë shkas që kantonet t`ia anulojnë dikuj vizën B ose C.

Mirëpo, sipas një sondazhi që ka bërë “SonntagsZeitung” në kantonet e Zvicrës Gjermane, ato e bëjnë shumë rrallë një gjë të tillë. Kështu, Kantoni Basel-Stadt gjatë vitit të kaluar për këtë shkak u ka hequr lejet e qëndrimit 15 vetave, ai i Bernës, 11, i Basellandit, 8 ndërsa Aargau, dy vetave.

Nga ana tjetër, në Zvicër gjatë vitit 2015 ndihma sociale kanë marrë 265626 persona, transmeton albinfo.ch. Pothuajse gjysma e tyre kanë qenë me leje qëndrimi B ose leje qëndrimi të përhershme, Vizë C.

Shikuar nga perspektiva e komunave, kjo praktikë është e padrejtë, pasi që janë komunat ato që detyrohen të paguajnë pjesën më të madhe të ndihmave sociale.

Dukuria e abuzimit me ndihmat sociale është vënë sërish në fokus, pas daljes në media të rastit të imamit libian nga Biel/Bienne, Abu Ramadan. Ai akuzohet se ka përfituar pa të drejtë rreth 600 mijë franga në emër të ndihmave sociale, transmeton albinfo.ch. Ndërsa së fundi, statusi i refugjatit atij i është hequr për shkak të vizitave të shumta që ka bërë në shtetin e tij të prejardhjes, në Libi, shtet nga i cili ai kishte deklaruar se ishte i ndjekur.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne