Të japësh lekë dhe të fusësh mik për të hyrë në galeritë e vdekjes në Bulqizë, Samir Mane merr nofkën “Lugati”

Galeritë e kromit në Bulqizë kanë kohë që janë kthyer në vend vdekjeje për shumë minatorë, gra e burra të thjeshtë të asaj zone. E ndërsa hallexhinjtë kalojnë orë të tëra nëpër galeritë e nëntokës por edhe në sipërfaqe duke u përpjekur të marrin një rrogë modeste që të mbajnë fëmijët e tyre me bukë, mbi kurrizin e tyre kanë ngritur pasurinë miliardashe pushtetarët e fëlliqur të Tiranës, deputetë e ish-depiutetë, ministra e ish-ministra, si dhe oligarkët e kryesuar nga Samir Mane, që së fundmi ka marrë nofkën “Lugati”, referuar atij që ha dhe të vdekurit. Dhe Samir Mane me “Alb Kromin” e tij ha dhe të vdekurit.

Të gjithë në Bulqizë e dinë që të futesh në punë në pusin qendror, i cili ka avantazhin se paguan siguracionet e punonjësve dhe ka një pagë relativisht më të mirë sesa ofrojnë mamuthët e tjerë të korrupsionit që kanë galeritë e tyre në zonën D apo më gjerë në zonën minerare të Bulqizë, duhet të paguash para në dorë ose të gjesh mik të fortë. Minimumi 500 mijë lekë të vjetra dhe mik, por ka raste që të rinjtë e papunë e të pashpresë kanë dhënë deri në 2 milionë lekë (duke i marrë borxh) që të futen në punë.

Samir Mane mbledh miliardat në Tiranë nga pasuria e kromit, kurse njerëzit që ka vendosur në krye të punëve kanë shpikur marifete plot për të mos e lënë fukarain të shkojë i qetë as në galeritë e vdekjes. Cfarë tmerri mund të jetë më i madh sesa ky?

A ka gisht qeverisja dhe politika në tërësi në këto punësime? Fatkeqësisht po. Shtohet kështu një tjetër barrë për të rinjtë e Bulqizës që të gjejnë një shans të futen në punë te miniera qendrore. E ndërsa kushtet teknike kanë nisur të harrohen përfundimisht, viktimat shtohen dhe mjerimi, për cudi sa vjen e rritet. Fitimet janë marramendëse, por asgjë nuk është bërë të përmirësohet jeta e banorëve në Bulqizë. E ndërsa mjerimi rritet, “Lugati” në Tiranë trashet dhe vijon të hajë edhe të vdekurit.

Për asnjë viktimë të vrarë në minierë deri më sot nuk ka pasur një hetim serioz e të pavarur. Të gjithë fajin ia vënë viktimës që merr me vete edhe poshtërsinë e këtyre maskarenjve, të cilët, kur e do nevoja, bëhen të gjithë bashkë që t’ia fusin popullit.

“Sulltani i kromit” Samir Mane është shndërruar për banorët e Bulqizës në Lugat, por nuk është i vetmi, sepse lugatë janë dhe ortakëria e tij në politikë, njerëz që janë kapur nga oligarku monstruoz që ha si i babëzitur pasurinë publike. Dhe ndërsa këta bastardë majmen mbi kurrizin e punëtorëve të shkretë, në Bulqizë vetëm sa rritet mjerimi. /Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne