Të ngujuarit sipas ligjeve të kanunit katolik braktisen nga shteti

“Qëndroja në shtëpi bashkë me motrën dhe vëllanë tjetër. Na ka ardh për të na dhënë mësim në shtëpi mësues Leka dhe mësues Kujtimi. U jam mirënjohës se falë tyre kam shkollën bazë,” tha Marjani për BIRN.

“Pastaj u largova nga Shqipëria, por kur vij i takoj mësuesit që nuk më lanë analfabet dhe ruaj respekt për ta”, shton ai.

Dy mësuesit e Marjanit, Lekë Pjetri dhe Kujtim Troshani ishin pjesë e një grupi më të gjerë arsimtarësh në fshatrat e Shkodrës dhe malësinë përreth, të cilët prej vitit 2006 nxitën qeverinë që të fillonte projektin e “Arsimit në vatra” për fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja.

Bashkë me mësuesit Luljana Luani dhe Enkelejda Mataj ata kishin filluar më herët të jepnin mësim vullnetarisht në shtëpitë e këtyre fëmijëve, por vetëm në vitin 2016, qeveria vendosi zyrtarisht të ndërhynte.

Por një dekadë më pas, programi pushoi së ekzistuari pasi sipas Drejtorisë së Arsimit në Shkodër, në zonën e mbuluar nga projekti nuk ka më fëmijë të moshës së arsimit të detyrueshëm të ngujuar.

Zyra e statistikave e DAR Shkodër i tha BIRN se numri kishte rënë nga 46 në vitin 2011 në 5 vitin 2016. Për vitin 2017, sipas Drejtorisë Arsimore, numri i fëmijëve të ngujuar është zero. Drejtoria e Shërbimeve Sociale në bashkinë e Shkodrës e cila furnizon me të dhëna Drejtorinë Arsimore i tha BIRN se ka informacion për 20 familje të ngujuara me 10 të mitur, por ata nuk kualifikohen në moshën e arsimit të detyruar.

Mbyllja e programit me argumentin se nuk ka më fëmijë të arsimit të detyrueshëm të ngujuar kundërshtohet nga mësuesit vullnetarë. Në intervista të veçanta për BIRN, ata thonë se ka ende fëmijë të ngujuar në zonat e thella të cilët nuk janë përfshirë në program, por problem kryesor sipas tyre mbeten të miturit që e kanë kaluar moshën e arsimit të detyrueshëm.

Liljana Luani thotë se ajo vazhdon të shkojë në fshatrat e thella të Veriut, ku ka ende sipas saj të paktën 30 fëmijë të ngujuar që ajo i viziton dhe u jep mësim. Mësuesja thotë se këta fëmijë nuk ishin të përfshirë në projektin e qeverisë, i cili përgjatë një dekade ndihmoi disa dhjetra nxënës kryesisht në fshatrat rreth Shkodrës dhe lagjet e qytetit, por nuk preku zonat e thella dhe fshatrat jashtë këtij qarku.

Mësuesit Lekë Pjetri dhe Kujtim Troshani, të cilët mësuan përgjatë një dekade fëmijët e ngujuar në Shkodër. Foto: A.Dushi

Ndërsa mësuesi Lekë Pjetri nga fshati Bardhaj i tha BIRN se shkollimi që u ishte ofruar fëmijëve të ngujuar nuk është i mjaftueshëm, duke i lënë ata jashtë niveleve të tjera të shkollimit.

“Ajo që është bërë për këtë kategori duke i dhënë mësim në shtëpi padyshim është shumë pozitive, por jo e mjaftueshme. Ndonëse nxënësit e ngujuar kanë marrë dëftesën e arsimit bazë dhe njohurit të mjaftueshme për lëndët kryesore, mundësitë që ata të vazhdojnë nivelet e tjera të shkollimit nuk janë, ndërsa projekti i qeverisë nuk përfshin ndihmë të mëtejshme,”pohon Pjetri.

Mësuesi shpjegon se mosha e adoleshencës, pas të cilës këta fëmijë nuk marrin më mësim, konsiderohet nga gjaksi si alternativë hakmarrjeje, ndërkohë që mundësitë ekonomike dhe kushtet e familjeve të tyre “nuk e lejojnë vazhdimin e shkollës edhe sikur të jenë të pajtuar apo në besë”.

“Ka prej tyre që më shkruajnë letra, tregojnë se punojnë për të mbajtur familjet. Kushtet ekonomike janë tepër të rënda, po ashtu dhe problemet sociale që mbart fenomeni,” thotë Pjetri.

Statistikat sa i përket numrit të familjeve apo të fëmijëve të ngujuar në Shqipëri janë shpesh spekulative. Numrat zyrtarë janë kryesisht minimalë, ndërsa organizatat që thonë se merren me pajtimin e gjaqeve japin shifra disa herë më të mëdha, por këto të fundit janë vënë disa herë në akuzë për shkak të spekulimit me certifikatat që përdoren në vende të Perëndimit për të kërkuar azil.

Të dhënat e Drejtorisë Arsimore të Shkodrës tregojnë se në vitet 2008-2011 nga programi “Arsim në vatra” morën mësim 171 fëmijë. Por pas tejkalimit të moshës së arsimit të detyrueshëm bazë, këta fëmijë mbeten jashtë sistemit arsimor dhe pa asnjë ndihmë për zhvillim të mëtejshëm.

Mësuesi Lekë Pjetri thotë se për shumicën e adoleshentëve me të cilët ai mban kontakte, jeta vijon të jetë e ashpër. Sipas Pjetrit, ata më me fat kanë ikur nga Shqipëria apo janë zhvendosur në zona të tjera të vendit larg Shkodrës që nuk dihen dhe as identifikohen.

Por pjesa tjetër mbeten të ngujuar dhe me pak mundësi për një jetë normale.

“Pasi kryejnë arsimin e detyruar, ata konsiderohen të rritur dhe angazhohen në kërkimin e rrugëve për mbijetesë”, thotë ai.  Mësuesi tregon se në disa raste ata shkojnë në zonat e thella nga kanë ardhur dhe merren me punë sezonale bujqësie në pronat e mëparshme të familjes.

“Nuk kam dijeni që të ketë të ngujuar ose ish- të ngujuar nga ata që  u kemi  dhënë mësim në shtëpi që të kënë vazhduar shkollën më tej,” thotë ai.

Pjetri kujton megjithatë se shumë gjëra kanë ndryshuar prej kohës kur ai filloi të jepte mësim vullnetarisht në një familje me tre fëmijë, të cilët u ngujuan vetëm pak muaj para se të mund të mbyllin arsimin e detyrueshëm dhe të jepnin provimet e lirimit.

Edhe mësuesit e tjerë kujtojnë se situatat në të cilat janë përfshirë nuk kanë qenë më komodet. Atyre u duhej të ndiqnin Kanunin, të kërkonin besë te familja armike dhe të fitonin besimin e familjes ku jepnin mësim.

Shpesh situatat kanë qenë absurde.  Enkelejda Mataj tregon se para disa vitesh ka dhënë mësim në një familje me fëmijë të ngujuar në lagjen “Skenderbeg “të qytetit, në periferi.

Ajo tregon se ishin dy fëmijë, motër e vëlla që nuk shkonin në shkollë nga frika e gjakmarrjes pasi babai i tyre kishte vrarë baxhanakun e tij, pra burrin e tezes. Ai kishte ikur jashtë vendit, ndërsa nëna me dy fëmijët ishte zhvendosur në Shkodër ku jetonte në një shtëpi të vjetër dy katëshe me qera. Bashkë me të ishte zhvendosur edhe motra e saj, bashkëshortja e të vrarit.

“Ato jetonin në të njëjtën banesë,  secila në një kat edhe pse sipas Kanunit ishin në gjak. Fëmijët komunikonin me njëri-tjetrin, por në shkollë shkonin vetëm fëmijët e të vrarit, pasi ata të vrasësit nuk kishin leje nga fisi i viktimës dhe pse jetonin në një shtëpi dy palët,” përfundon mësuesja.

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne