‘Të pjekur si qebabë dhe me organe të hequra’: Fati i emigrantëve nigerianë në Libi

Ish-ministri nigerian ka sulmuar ashpër pronarët e sotëm të skllevërve në Libi duke thënë se ata po i shesin emigrantët afrikanë në Libi si skllevër. Ata i vrasin, gjymtojnë, torturojnë ose i venë të punojnë derisa të vdesin”.

Femi Fani-Kayode, një ish ministër i kulturës dhe aviacionit në Nigeri, pretendon se rreth 75 përqind e migrantëve të kapur dhe mbajtur nga milicitë libiane në Afrikën e Veriut janë nga vendi i tij.

Juristi i arsimuar nga Kembrixh shtoi se viktimave u janë “gjymtuar trupat” dhe janë “pjekur si qebabë”.
Ai vazhdoi:

“Të pjekur të gjallë! Kjo është ajo që libianët u bëjnë afrikanëve subsaharianë, të cilët kërkojnë pika tranziti për në Evropë. Ata i shesin si skllevër, i vrasin, gjymtojnë, torturojnë ose i venë të punojnë derisa të vdesin”.

KUJDES: Imazhi i mëposhtëm mund të nxisë zemërim.

Fani-Kayode, duke bërë komente në llogarinë e tij të Twitter, gjithashtu u ankua për rrëzimin e diktatorit libian Muamar Gadafi duke thënë se vakumi politik që vendi aktualisht po përjeton ka shkaktuar lulëzimin e bandave kriminale në Libinë bashkëkohore. Ai vazhdoi të akuzojë presidentin nigerian Muhammadu Buhari për heshtjen ndaj skllavërisë dhe për mos ndërmarrjen e veprime të pamjaftueshme kundër saj.

Komentet e Fani-Kayode dolën pasi një raport tronditës i CNN zbuloi se emigrantët dhe refugjatët mbaheshin dhe pastaj shiteshin në tregjet e skllevërve në periferi të Tripolit për vlerën e 400 dollarëve. Një video, autenticiteti i të cilës u vërtetua nga gazetarët e CNN-it, tregonte ankandin ku shiteshin “djem të fuqishëm për punë bujqësie”.

Më herët gjatë muajit prill, Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) paralajmëroi se emigrantët po shiteshin në tregjet publike të skllevërve, ku të paktën 20,000 prej tyre mbaheshin në kushte të vështira nga bandat kriminale në qendrat e ndalimit në Libi.

Mijëra njerëz nga Afrika Sub-Sahariane vazhdojnë të dynden drejt Libisë, duke shpresuar që të kalojnë Mesdheun për të shkuar në Evropë. Me financimin nga BE dhe trajnim të rojeve bregdetare libiane për të frenuar rrjedhën, shumë prej tyre e ndalin udhëtimin e tyre në Libi, duke përfunduar në qendrat e ndalimit ose më keq, në tregjet e skllevërve, thotë raporti i IOM-it./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne