Shqiperia

“BE të pranojë shqiptarët”. Kushner: Shqipëria, jo e fundit në listë

Përpjekjet e shqiptarëve në Ballkan për afrim me BE-në, kanë marrë një tjetër mbështetje: Bernard Kushner, ish-kryeadministrator i OKB-së në Kosovë, ish-ministër i Jashtëm i Francës e njëkohësisht bashkëthemelues i organizatës “Mjekët pa kufij”, shkruan për “Euobserver” se blloku duhet të mbështesë Shqipërinë, duke përsëritur ndër të tjera dhe një mesazh të dëgjuar fort tashmë: 2018-ta ka për të qenë për rajonin një vit kyç.

Ndaj dhe përgjegjësia e qeverive rajonale për të shfrytëzuar mundësitë që ai paraqet, shtohet ndjeshëm. Dera e Bashkimit Europian më në fund është hapur për zgjerimin pasi kreu kur mori detyrën, i KE-së Jean-Claude Juncker e përplasi fort, duke thënë se nuk do të kishte anëtarësime të reja gjatë mandatit të tij 5-vjeçar. Por pavarësisht arsyeve, shpjegon Kushner, kjo figurë veterane e politikës franceze, siç mund të jenë krizat e kapërcyera, përmirësimi i ekonomisë kontinentale, apo, – Juncker tani mendon se ka ardhur momenti për të inspektuar radhën jashtë e mbase edhe për të lëshuar pe me aderimet.

Ama, vetëm me dy. Kombet më të etura për anëtarësim nuk janë mes tyre. Kandidatët kryesorë për raundin e ardhshëm të zgjerimit janë Serbia dhe Mali i Zi kujton Kushner, dy vende ku kjo temë mbetet tejet polemizuese e për të cilat flitet se po joshen për faktin se janë më të prirura të ndërrojnë kah e të rehatohen në anën e Moskës.

E gjithë kjo, në një kohë, kur ka vende të tjera shumë më entuziaste në Ballkanin Perëndimor, të cilat e meritojnë në të njëjtën masë ofertën e anëtarësimit.

Kushner sjell si shembull Shqipërinë, duke nënvizuar rezultatet e anketimeve që tregojnë sesi 80% e qytetarëve shqiptarë e duan bashkimin me bllokun europian.

“Problemet e brendshme politike, ish-shefi i diplomacisë franceze i sheh si një arsye më shumë që Brukseli të mos e lerë Shqipërinë në fund të rreshtit. Është koha që votuesve shqiptarë t’iu tregohet se mbështetja e tyre për BE-në ka efekt”, vazhdon ai.

Bashkimin Europian e duan dhe 90% e kosovarëve shton Kushner, por ndonëse fatkeqësisht nuk mendoj se kjo dëshira mund t’i realizohet së shpejti, Brukseli duhet të tregohet shumë më aktiv e të inkurajoje Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Spanjë si edhe vetë Serbinë që të pranojnë të pashmangshmen e të njohin sovranitetin e Kosovës.