Shqiperia

Të prekurit nga tërmeti/ Ja si do të bëhet kompensimi i banesave

Një familje, banesa e të cilëve është dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, pavarësisht se mund të ketë patur një shtëpi me sipërfaqe 200 metra katrorë, nëse përbëhet nga 2 anëtarë, nuk mund të përfitojë më shumë se 60 metra katrorë në rastin që merr apartament dhe 70 metra nëse kompensohet me banesë individuale.

Qeveria ka detajuar procesin e përfitimit të banesave për çdo kategori, në një vendim të miratuar më datën 24 Dhjetor, duke vendosur si rregull që përfituesit duhet të kenë një dokument që vërteton pronësinë e banesës dhe akt konstatim për rrezikun që u kanoset nëse jetojnë atje.

Vendimi zgjeron për apartamente 2+1 sipërfaqen për familjet deri në katër anëtarë dhe deri në 100 metra katrorë për ata që kanë më shumë se 5 anëtarë.

Banesat individuale në bazë të vendimit të qeverisë do të detyrohen të heqin dorë nga trualli ku kanë banesën e tyre për masën e sipërfaqes që do të përfitojnë, ndërsa familjet që do të akomodohen në apartamente e kanë të detyrueshëm heqjen e pronësisë vetëm nëse pallati ndërtohet në pronën e tyre.

Për shtëpitë në fshat qeveria do të japë grante për rindërtimin e banesave.

Vendimi sanksion se kërkesa duhet të plotësohet me shkrim duke dorëzuar këtë formular individualisht në zyrat e njësisë vendore ku personi ka patur banesën e dëmtuar.

Bashkitë do të ndajnë shtëpitë për përfituesit duke patur si prioritet familjet me humbje të jetëve ditën e tërmetit, familjet me një prind, ata me përbërje të personave me aftësi të kufizuar, ata me kryefamiljarë pensionistë, familjet me ndihmë ekonomike dhe me të rënë në krye të detyrës. /Tv Klan

OPINIONE