Të rinjtë të apasionuar pas historisë së Shqipërisë

Kalaja e Shkodrës ishte pikënisja e udhëtimit në monumentet historike të dy të rinjve hollandez, Marilyn dhe Dan. “Kryesisht jemi këtu për të mësuar mbi historinë e Shqipërisë. Ne të dy nuk kemi lexuar mjaftueshëm për historinë e Ballkanit, kështu që menduam të shkojmë në Shqipëri dhe ja ku jemi”, shprehen ata.

“Është mrekulli kur sheh turistë të rinj në moshë të apasionuar pas historisë. Këta turistë kanë zgjedhur Kalanë e Shkodrës për të nisur udhëtimin e tyre nëpër Shqipëri. Kalaja e Shkodrës u ka pëlqyer shumë, po kështu edhe natyra dhe mikpritja e shqiptarëve. Do të vazhdojnë të eksplorojnë Tiranën, Beratin dhe Gjirokastrën. Vendi ynë ka shumë për të ofruar”, shkruan ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi.

Shqipëria duket se po përjeton një tjetër sezon të mirë turistik. Instituti i Statistikave raportoi se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për qëllime pushime u rrit me 2.4 herë në gjashtë mujorin e parë të vitit.

Sipas INSTAT, për periudhën janar-qershor të këtij viti numri i turistëve të huaj kërceu në 562 mijë vetë nga 230 mijë që ishte për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Statistikat e detajuara tregojnë se vetëm në muajin qershor, që shënon dhe fillimin e pikut të sezonit turistik, në Shqipëri hynë mbi 195 mijë pushues të huaj.

Rritja me dy herë e gjysmë e numrit të turistëve të huaj paralajmëron një tjetër sezon të mirë për turizmin, pas rezultateve pozitive të vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë në 2016-ën ekonomia shqiptare përfitoi 1.5 miliardë euro të ardhura nga turizmi, duke qenë e barabartë me sa 15 për qind të prodhimit kombëtar./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne