Të shtunën rinisin riatdhesimet, Rama: Paketa do të jetë e arsyeshme, kostoja optimale

Kryeministri Edi Rama shprehet se qeveria ka bërë gati një paketë për fazën e dytë të riatdhesimeve që do të nisë ditën e shtunë në datë 18 Prill. Sipas tij, paketa do të jetë shumë e arsyeshme për ata që duan të riatdhesohen dhe qeveria do të bëjë gjithçka mundet që kostoja financiare, të jetë optimale brenda kushteve ku po jetojmë e po veprojmë të gjithë. Ai thotë se nuk do të tërhiqemi nga kushti i karantinimit të detyruar në hotel, pasi vetëm kështu do të mbrojmë qytetarët nga një tjetër valë infektimi që mund të vijë.

Një shembull konkret pse riatdhesimi në këtë fazë duhet të jetë absolutisht i kontrolluar: Singapori u mbajt si shembulli më fantastik i përballjes me epideminë, me numrin mē të vogël të të infektuarve e të të vdekurve për numër popullsie. Por gjërat u përkeqësuan kur u lejua riatdhesimi i pak më shumë se 500 studentëve, të cilëve i’u kërkua të vetëkarantinoheshin në familje, pa futur në karantinë gjithë familjen. Numri i të infektuarve u rrit ndjeshëm, përmes familjarëve të të riatdhesuarve dhe ky ishte një mësim, jo vetëm për Singaporin po edhe për vendet e tjera, të cilat fillimisht ulën ndjeshëm numrin e të riatdhesuarve, duke i detyruar të karantinohen në hotele dhe pastaj filluan të ndalonin fare riatdhesimet.

Ne do të rihapim rrugën e riatdhesimeve siç e kemi bërë publike dhe nuk do të tërhiqemi nga kushti i karantinimit të detyruar në hotel! Por ju lutem të gjithë atyre të cilët nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë se pse, kjo rrugë është e vetmja dhe s’ka një rrugë tjetër për të mbrojtur popullin e vendin tonë nga një valë e re infektimi, që të paktën, përpara se sa të shajnë e të mallkojnë a thua se kjo është punë qejfi apo dëshire e qeverisë për t’ua vështirësuar riatdhesimin, të të bëjnë edhe njëçikë durim derisa ta shohin konkretisht paketën e riatdhesimit!

I siguroj që paketa do të jetë shumë e arsyeshme për ta dhe qeveria do të bëjë gjithçka mundet që kostoja financiare e riatdhesimit, të jetë optimale brenda kushteve ku po jetojmë e po veprojmë të gjithë. Boll me sharje, me akuza, me hesape në hava e me mallkime, sepse kjo është koha që provon se sa di secili të jetë një shqiptar i mirë që sheh përtej hundës së vet dhe që nuk e kthen në argument mllefin apo mosinformimin për atë që flet” tha Rama.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku njoftoi dje se të gjithë ata që duan të kthehen të atdhe karantinën do ta bëjnë në Durrës në disa hotele në qytetin bregdetar. Por si duhet të veprojnë shqiptarët? Ministrja sqaroi të gjithë procedurën hap pas hapi me aplikimin që duhet të bëhet te faqja e Air Albania-s, por edhe pagesën. Karantina në Durrës do të jetë 14 ditë me lekët e vetë atyre që duan të rikthehen.

Sistemi elektronik për rezervimet online për hotelet dhe biletën do të jetë gati nga dita e enjte në orën 10:00. Gjithashtu ministrja tha se me avionin e Air Albania nga Tirana në Romë drejt Italisë mund të udhëtojnë qytetarët italianë apo shqiptarë që kanë leje në vendin fqinj.  Në fund të marsit u realizua faza e parë e riatdhesimeve për kategoritë me emergjente që i zuri mbyllja e kufijve jashtë atdheut. /Shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne