Shqiperia

Të tallesh me veten është në fund të fundit një e drejtë

Të ashtuquajturit artistë po bien një e nga një përditë. Për të mbetur vetëm profesionistë të mirë dhe rrogëtarë të zakonshëm. Por ndoshta jo edhe aq qytetarë të mirë në një vend pa qytetarë. Pushteti i z. Rama dhe i z. Veliaj po ja del të shpërbëjë frymën e një proteste që nuk ka asgjë jodemokratike, që nuk cenon asgjë përtej projektit kriminal të ndërtimit të kullave në tokë publike.

Sot në dy media të ndryshme u shfaqën dy zanatiçinj të aktrimit dhe skenës, regjizori Altin Basha dhe aktori Bujar Asqeriu. I pari na qetësoi të gjithëve duke na shpjeguar se kush ishte thelbi i marrëveshjes me Erion Veliajn, kryebashkiakun e Tiranës që përdori një fotografi me të dhe Alfred Trebickën dhe Arben Derhemi, për të improvizuar një pak që i hapi rrugë ligjit të posaçëm.

Por z. Basha doli në intervistë duke lejuar që titulli i intervistës së tij të ishte një akuzë për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, të cilën ai e konsideron si zgjatim të Partisë Demokratike. Z. Basha ka rikonfirmuar kështu aftësinë për t’u përdorur, duke ofruar fjalët e veta për regjinë e pushtetit. Nga ana tjetër, pozita e z. Asqeriu është edhe më patetike, pasi protesta e tij kundër prishjes së Teatrit ishte edhe në dukje më emocionale, më e përfaqur dhe në manifestim e sipër alternonte aktrimin me zemërimin.

Sot z. Asqeriu ka dalë në një fotografi i qeshur, krah një gazetareje që menaxhon një faqe online e cila i përkushtohet më të mirës për Tiranën. Ai ka marrë përsipër të thotë ca gjëra të rëndësishme që i mbyll me një fjali për të cilën duket se ka rënë dakord me veten që ta thotë edhe pse mund ta shmangte pse të kujton një fëmijë të llastuar:

Nuk jam për protesta, nuk i mbështes. Dua të dëgjohen arkitektët. Unë më në atë godinë nuk futem më sepse është sëmundje. E kam thënë gjithmonë dhe nuk pranoj.

Dua të ngre dhe një herë zërin me forcë duke i kujtuar edhe një herë qeverisë shqiptare të kthejë vëmendjen në mënyrë serioze ndaj artistëve, që nga ligji për Teatrin e nga statusi për ta, për godinat mendojnë arkitektët. Ne duhet të merremi me të drejtat tona.

Nga ajo Godinë që vdiqën shokët e mi më duket se jam sëmurë edhe unë. Jam për paqe sociale dhe mua s’më përdor dot as PD e as PS. Dua një Teatër të ri dhe nuk ka më kuptim që të vihemi kundër njëri-tjetrit por t’ua lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua

Duke shpresuar se edhe z. Asqeriu nuk do të dalë të përgënjeshtrojë me ndonjë status në Facebook këtë që ka thënë në portalet e Tiranës, duhet të pyesim: Zoti Artist, ti mban përgjegjësi për Fjalën tënde përtej skenës?

Ti(ose Ju nëse preferoni kështu) mendoni se mund të merreni seriozisht jashtë skenës? Protesta për teatrin, për atë që artikulon nuk këcënon asnjë paqe more zoti Asqeriu. Dhe këtë e shohim të gjithë. Ajo merr në mbrojtje një godinë historike por edhe i del para një projekti që synon të transferojë ca qindra milionë në pak duar. Protesta ndaj është edhe dyfish e rëndësishme.

Këto ndryshime dhe luhatje, këto dredha në qëndrimet publike mund të kenë shumë arsye. Por Fjala është përgjegjësi e madhe dhe nuk mundet që të pështysh kaq lehtë të paktën mbi ata njerëz të zakonshëm, që pa asnjë bindje politike dhe përkatësi partiake, janë solidarizuar dhe kanë vënë firmën në një peticionin sepse mendojnë se kjo është vjedhje. Vjedhje e pastër që po lehtësohet edhe nga kjo epidemi tredhjeje e atyre që duhet të ishin në krye të një kundërshtimi legjitim.

Deklarimet e tanishme të z. Asqeriu nuk sjellin ndonjë ndryshim esencial në atë që është vendosur, ato nuk ndikojnë veçse në lehtësimin e synimeve të pushtetit, ndaj edhe ato janë fare të pakuptueshme. Zotëria, njësoj si kolegët e vet që braktisën një protestë që e ngjizën vetë, kanë një ftyrë publike, me to lidhet një pjesë e kujtesës sonë për kinemanë dhe teatrin. Por asgjë prej tyre nuk konkuron me këtë gjurmë që po lënë këta me aktin prej burracaku që po bëjnë në këtë moment.

U tha shpesh gjatë kësaj periudhe se teatri shqiptar vuan jo për godinën, por për frymëzimin dhe artin që mungon. Sigurisht që sot kur artistë si z. Asqeriu mbështesin ndërtimin e një teatri të ri nuk flitet më për këto gjëra, pasi llaçi dhe tulla janë shumë të rëndësishëm. Ata madje janë më të rëndësishmit në këtë lojë që pa të shpërfytyroheshin zantaçinjtë e mbetur të aktrimit, që mesa duket nuk kanë qenë ndonjëherë as qytetarë të mirë, as artistë të vërtetë. Pasi përndryshe do të kishin tjetër përgjegjësi për Fjalën e tyre, e të paktën, në minimumin e minimumit, për Heshtjen që ndonëse fajëson, është ku e ku më fisnike sesa këto lodra që shpërdorojnë besimin e disa të tjerëve. Sepse në fund të fundit, rolin e protestuesit nuk ua kërkoi kush, por e morë vetë.