Tenderat për ndërtimin e rrugëve me koncesion/ Kostot, borxhet dhe shqetësimet e FMN

Brenda pak ditëve të fundit dikasteri i Infrastrukturës ka shpallur disa gara për ndërtimin dhe mirëmbajtjen në segmente të reja apo të lëna përgjysmë të rrugëve nacionale.

Orikum-Dukat
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur zyrtarisht dje tenderin për koncesionin e segmentit rrugor nga Orikumi në Dukat në formën e Partneritetit Publik-Privat, pjesë e projektit “1 Miliard”. Ashtu si për rrugët e tjera që do të jepen me këtë formë koncesioni (PPP), kontrata ka një afat 13-vjeçar, ku tre vjet janë parashikuar për ndërtimin, ndërsa 10 vjet për mirëmbajtjen e rrugës. Sipas logjikës koncesionare, financimi do të realizohet nga fituesi i tenderit, ndërsa pagesa nga ana e qeverisë do të bëhet me këste deri në përfundim të kontratës.

Më 20 qershor, në një mbledhje të saj, qeveria kishte miratuar edhe një bonus prej 6% të pikëve për shoqërinë “Gjikuria”, e cila kishte bërë propozimin e pakërkuar dhe kishte paraqitur rezultatin teknik dhe financiar. Tashmë kjo kompani do të jetë e avantazhuar në garën për marrjen e koncesionit.

Rruga konsiderohet një projekt strategjik për zhvillimin e zonës së bregdetit në 50 vitet e ardhshme. Ajo ka një gjatësi prej 14.7 kilometra dhe nis në rrugën e Portit të Jahteve, për të kaluar më pas në Bypass-in e Orikumit dhe duke përfunduar në Dukat në Urën e Shën Elizës. Shpejtësia e lëvizjes së automjeteve në rrugën me dy korsi parashikohet të rritet, nga 40 km/h aktualisht, në 60-100 km/h. Projekti parashikon ndërtimin e disa veprave të artit, tri ura të mëdha dhe dy mbikalime. Ajo pritet të lehtësojë trafikun në zonën bregdetare jugore, i cili është problematik gjatë sezonit turistik, por edhe do të bëjë ndërlidhjen e pikave të reja strategjike, do të zhvillojë më tej turizmin e zonës dhe do të rrisë shkëmbimet ekonomike dhe kulturore, duke ulur kostot e transportit dhe duke mundësuar çmime më të ulëta për produktet për komunitetin që jeton në këto zona.

Projekti është pjesë e një tjetër segmenti nacional, duke qenë se mendohet që rruga do të bëjë edhe lidhjen me Himarën përmes një tuneli nën Llogara, që mbetet për t’u ndërtuar.

Milot-Balldren
Kjo garë është shpallur 24 orë pasi një projekt tjetër sapo kishte marrë dritën jeshile. Qeveria të hënën hapi zyrtarisht tenderin edhe për koncesionin e tretë të madh në kuadër të programit 1 miliardë euro. Pas Rrugës së Arbrit dhe autostradës Thumanë-Kashar, projekti i radhës që do të jepet me koncesion është rruga Milot-Balldren. Ky segment, sipas projektit, do të jetë 17.2 kilometër i gjatë dhe kostoja e parashikuar për ndërtimin do të ishte 161.5 milionë euro, duke përfshirë këtu mirëmbajtjen.

Ashtu si projektet e tjera, edhe për rrugën Milot-Balldren do të ndiqet e njëjta formulë standard. Vepra do të ndërtohet me fondet e vetë kompanisë private dhe më pas qeveria do e paguajë atë me këste për 13 vjet. Rruga Milot-Balldren shtrihet përgjatë aksit ekzistues që lidh Milotin me qytetin e Lezhës. Më pas ajo devijon si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren, ku lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës.

Propozimi për ndërtimin e kësaj rruge është bërë nga kompania shqiptare ANK përmes një oferte të pakërkuar. Për këtë propozim ANK është shpërblyer nga qeveria me bonus sa 8.5 për qind të pikëve, çka e bën të avantazhuar ne tenderin që do të zhvillohet në datën 4 shtator.

Kostot dhe borxhet
Ndërkohë që është shpalosur tashmë program ambicioz i qeverisë Rama 2 për infrastrukturën rrugore nëpërmjet koncesioneve, ka qenë Fondi Monetar, i cili ka shprehur disa shqetësime, që lidhen kryesisht me pasojat e tyre në në rritjen e borxhit publik të vendit. “PPP-të përmbajnë risqe thelbësore fiskale. Një nga motivimet kryesore të PPP-ve duket se është shtyrja e pagesës. Pra, investimi bëhet tani me financime nga privatët, Qeveria e paguan më vonë. Kjo ekonomikisht është e njëjtë me huamarrjen. Pra, i gjithë investimi, ose një pjesë e tij, duhet të regjistrohet si borxh publik”, deklaron FMN.

Shefi i Zyrës së FMN në Tiranë, Jens Reinke, u shpreh se “ne kemi deklaruar që kuadri institucional për menaxhimin e koncesioneve mbetet i papërshtatshëm. Sigurisht ndërtimi i kapaciteteve dhe institucioneve të duhura kërkon një kohë të caktuar, ndaj kemi këshilluar Qeverinë që të marr një pushim të shkurtër, të pezullojë dhënien e koncesioneve të reja”, thotë ai. Sipas shefit të FMN në Tiranë, thuajse të gjitha koncesionet jepen pa një analizë të qartë mes kostove që paguajnë qytetarët dhe përfitimeve që ato sjellin. “Duhet të kemi një listë konsistente të projekteve prioritare që bëhën me koncesion, por jo vetëm. Sot nuk e kemi. Çdo koncesion, përfshirë ato të mëdhatë e dhëna së fundmi, del nga një proces jo shumë formal. Së dyti, duhet të kemi një njësi të fortë në Ministrinë e Financave që bën analizën e kosto-përfitimeve për çdo projekt dhe të ketë fuqinë të refuzojë projektet pa leverdi. Duhet theksuar se Qeveria ka bërë njëfarë progresi. Ka një njësi më të mirë për PPP-të në Ministrine e Financave, si dhe një njësi për riskun fiskal, por kordinimi mes tyre nuk është i mirë dhe ato nuk luajnë një rol të mjaftueshëm në planifikimin dhe prioritarizimin e projekteve të investimeve”, vijon Reinke.

Shefi i Zyrës së Fondit thotë se Qeveria duhet t’i japë fund miratimit të koncesioneve që vijnë si propozime nga privatët. “Programi i investimeve të qeverisë duhet të jetë konsistent dhe i mirëmenduar. Ai duhet të mbajë parasysh përfitimet totale në rrjetin e infrastrukturës, që vijnë nga investimet e ndryshme. Kjo nuk mund të ndodhë kur Qeveria thjesht miraton propozimet e pakërkuara që vijnë nga privatët, por vetëm kur ajo identifikon strategjinë e saj dhe tenderon publikisht ato projekte, të cilat janë përzgjedhur se kanë përfitimet më të mëdha”, këshilloi kreu i FMN në Shqipëri.

Duket se edhe në gjirin e mazhorancës në këtë drejtim ka patur një lloj ndryshimi të qendrimit, në përputhje me logjikën e ndërkombëtarëve. Kreu i komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe, një javë më parë ka paralajmëruar ndryshimin e ligjit për koncesionet në muajin shtator. Braçe tha se në ligjin e ri për koncesionet duhet të parashikohet heqja e “ofertave të pakërkuara”.

Burimi: Shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne