Tensionet SHBA-Kore, Papa kërkon ndërmjetësimin e Norvegjisë

Papa Françesku kërkon ndërmjetësim ndërkombëtar për qetësimin e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

Sipas Atit të Shenjtë, një vend i tretë si Norvegjia mund të ndërhyjë për zbutjen e një situate tashmë të nxehur shumë, e të kthyer në potencial për katastrofë bërthamore. “U bë një vit që flasim për këto raketat e Koresë së Veriut, por tani duket se gjendja është përflakur paksa shumë. Unë apeloj gjithmonë për zgjidhje përmes mjeteve demokratike, sepse një luftë e këtyre përmasave do të shkatërronte, nuk po them gjysmën e njerëzimit, por një pjesë të mirë të tij. Le të ndalojmë e të gjejmë një zgjidhje paqësore. Mendoj se edhe Kombet e Bashkuara kanë detyrën të rimarrin pak në dorë udhëheqjen e tyre, sepse është zbehur shumë”, tha Papa. Norvegjia është vendi që negocioi në fshehtësi paktin mes Izraelit dhe palestinezëve në fillimin e viteve ’90, të njohur si “Marrëveshja e Oslos”. Komentet e Papës erdhën pak orë pasi Peniani testoi një tjetër raketë balistike, e cila – sipas Uashingtonit dhe Seulit, – nuk e pati jetën e gjatë, por shpërtheu shumë shpejt pas lëshimit. Prova ishte një tjetër shuplakë e vendit komunist ndaj komunitetit ndërkombëtar. Disa orë më parë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte qenë duke diskutuar pikërisht programin bërthamor të Penianit./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne