Një 48-vjeçar u arrestua ditën e sotme pasi disa javë më parë tentoi të korruptonte një gjyqtare për të dhënë një vendim gjyqësor në favor të një të dënuar në burgun e Rrogozhinës.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga ra Enver Disha. Ndaj tij më 29 qershor ishte caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ për akuzën “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të lartë publikë, kryer në bashkëpunim”.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 12.07.2017 Specialistët e Hetimit të Korrupsionit pranë D.V.P. Tiranë kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim Enver Disha, për arsye se: Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin e datës 29.06.2017, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të lartë publikë, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 319 / 25 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se ky shtetas ka tentuar të korruptojë gjyqtaren për të dhënë një vendim gjyqësor në favor të një të dënuari në IEVP – në e Rogozhinës.